Kosova i paraqet BB projektet për sistemet vaditëse dhe informatizimin e shkollave

24/04/2015 00:00

Qeveria e Kosovës ka prezantuar para Bankës Botërore në Uashington, disa projekte që mund të financohen së shpejti, pasi të nënshkruhet programi i ri i bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, bashkë me guvernatorin e Bankës Qendrore, Bedri Hamza, kanë qëndruar për 8 ditë në Uashington, ku kanë pasur takime në Fondin Monetar, Bankën Botërore, si dhe në Thesarin (Federal Reserve, FED) e Departamentit amerikan të Shtetit.

“Ne kemi prezantuar idetë kryesore për projektet, që kemi si Qeveri e re, te Banka Botërore. Janë dy projekte të mëdha të ujitjes së tokave bujqësore, një në rrafshin e Kosovës dhe një në rrafshin e Dukagjinit, që do të dyfishojnë hapësirat bujqësore me ujitje. Është projekti i informatizimit të plotë të shkollave, projekti i modernizimit të shëndetësisë, projekti i hekurudhave nga Klina deri në Prizren, për të përfunduar atë pjesë të hekurudhës dhe disa projekte të vogla. Ne kemi marrë mbështetje në parim prej Bankës Botërore, pasi të konkretizohen bisedat me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave, Kosovë.

Hoti tha se, gjatë vizitës në Uashington kanë marrë mbështetje si qeveri e re, për hapat që janë ndërmarrë për reformat në sektorin e ekonomisë dhe, si vlerësim i kësaj, ai tha se në fund të muajit Maj, një delegacion i lartë i FMN-së do të vizitojë Kosovën.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza tha se kanë marrë mbështetje nga Fondi Monetar për qëndrueshmërinë makrofiskale të vendit, ndaj ai paralajmëroi një program të ri bashkëpunimi.

“Kemi rënë dakord në parim, që të kemi një program dhe arsyeja e këtij programi nuk qëndron në ruajtjen e stabilitetit makrofiskal dhe financiar, pasi ai vlerësohet lartë nga këto institucione. Por, mbi të gjitha është se, duke qenë se programi i Fondit Monetar merret edhe si pikë reference nga institucionet e tjera, ne duhet të kemi fillimisht program me FMN-në, me qëllim krijimin e bashkëpunimit me mëto institucione”, tha Bedri Hamza, guvernator i Kosovës.

Ministri i Financave dhe guvernatori kosovar nuk folën për shumën e projekteve, që Kosova synon t’i realizojë me Bankën Botërore, pasi sipas tyre ato sqarohen pasi të konkretizohet marrëveshja në muajt e ardhshëm.

Top Channel