Kosovë, përshkallëzohet greva e ish-punëtorëve

22/04/2015 00:00

Në ditën e 332-të të grevës në Prishtinë, 9 grevistë, ish-punëtorë të fabrikës së tubave, vendosën të qëndrojnë para hyrjes së Kryeministrisë, duke kërkuar takim me kryeministrin Isa Mustafa.

Prej gati një viti, 45 punëtorët qëndrojnë ditë e natë në një tendë pranë ndërtesës së qeverisë dhe Kuvendit, duke kërkuar paratë e dhjetë viteve kur ishin larguar nga puna në kohën e regjimit të Millosheviçit.

Kërkesë e grevistëve është ekzekutimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese i datës 17 dhjetor 2010, respektivisht shlyerja e borxhit për 912 punëtorë me kosto mbi 25 milionë euro.

Nijazi Asllani, kryetar i këshillit grevist të punëtorëve të fabrikës së tubave, tha se kanë bërë dy kërkesa për takim me kryeministrin, por për asnjë nuk kanë marrë përgjigje.

“Më 15 dhjetor të vitit të kaluar bëmë kërkesë për takim me kryeministrin, për t’u informuar rreth zbatimit të këtij aktgjykimi. E përsëritëm kërkesën më 24 mars, por përsëri nuk pati përgjigje. Nuk dimë se në çfarë forme të komunikojmë. Të vijë të na vizitojë, nuk vjen, prandaj jemi të detyruar të veprojmë në këtë formë, që tërë kohën sa zgjat orari i punës së qeverisë të qëndrojmë para dyerve të selisë së saj”, deklaroi Asllani.

Më 27 maj 2014 grevën e filluan 45 punëtorë. Rreth 20 prej tyre, sipas Asllanit, u ndikuan politikisht dhe e ndërprenë atë, ndërsa një nga ata që qëndruan gjatë kësaj periudhe ka ndërruar jetë.

“Kemi rastin e një punëtori që ishte në grevë në fillim dhe i cili e luti kryeministrin të na japin paratë sepse kishte nevojë për shërim. Ai u detyrua pas një muaj qëndrimi të ndërpresë grevën, mirëpo në dhjetor të vitit të kaluar ndërroi jetë dhe nuk është më mes nesh”, tha Asllani.

Top Channel ka kontaktuar zyrtarë të kabinetit të kryeministrit, të cilët thanë se një pjesë e madhe e kabinetit qeveritar ndodhet në Bruksel dhe se në ditët në vijim pritet të deklarohen lidhur me këtë çështje.

Ndërsa punëtorët grevistë u shprehën të vendosur se do të qëndrojnë para Kryeministrisë deri sa marrin përgjigje për kërkesën e tyre.

Top Channel