Kosovë, krerët e policive të rajonit, në seminarin dyditor kundër terrorizmit

22/04/2015 00:00

Në Prishtinë është duke u zhvilluar një seminar dyditor kundër terrorizmi me temë “Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm”, i cili bëri bashkë krerët e policive të rajonit. Ky seminar është organizuar nga Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara dhe ICITAP- Kosovë.

Gjatë zhvillimit të punimeve të ditës së parë të seminarit , në komentet e drejtorëve të policive u theksua bashkëpunimi shumë i mirë që ekziston ndërmjet policive në rajon, dhe në veçanti të strukturave kundër terrorit.

Delegacioni i Policisë Shqiptare, kryesohet nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, i cili zhvilloi disa takime bilaterale me drejtorët e Policisë së Serbisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës.

Në fjalën e tij Çako, vlerësoi  mbështetjen e ofruar nga SHBA dhe punën e bërë nga strukturat kundër terrorit në vendet e rajonit.

Më tej zoti Çako, parashtroi nevojat për intensifikimin e hetimeve të përbashkëta në këtë fushë,  dhe propozoi vendosjen e linjave të sigurta,  direkte të komunikimit ndërmjet strukturave anti-terror, në rajon e më gjerë.

Në një takim të veçantë pune mes katër drejtorëve të Policisë (Serbi, Kosovë, Shqipëri, Kroaci), u propozua ngritja e “grupeve hetimore” të përbashkëta për rastet kur aktiviteti i individëve/grupeve që shkojnë për të luftuar në Siri, për xhihad, shtrihet në disa vende të rajonit.

Në ditën e dytë të seminarit , do vazhdojë prezantimi i praktikave më të mira të vendeve të rajonit në luftën kundër terrorit,  dhe identifikimi i fushave prioritare për bashkëpunim e bashkërendim.

Në seminar marrin pjesë dhe përfaqësues të FBI-së, të cilët do të ndajnë eksperiencat e tyre në këtë fushë me vendet pjesëmarrëse.

Top Channel