Kosovë, java e të zhdukurve të luftës. Familjarët ende shpresojnë

22/04/2015 00:00

Në Kosovë ka nisur java e të pagjeturve të luftës, por dhimbja për ata dhe shpresa se janë diku të gjallë është në mesin e qindra familjeve, të cilat nuk dinë për fatin e më të dashurve të tyre.

Halil Ujkanit nga Mitrovica i janë zhdukur dy djemtë dhe tre nipërit. Prej 16 vitesh ai nuk ka mundur të gjejë asnjë gjurmë që ndriçon fatin e tyre. Thotë se në tërë këto vite ka pranuar informacione të ndryshme, përfshirë edhe informata të tilla nga serbë të Beogradit, se rreth 300 shqiptarë që konsiderohen të zhdukur mbahen të gjallë në burgjet e Serbisë e që për lirimin e tyre pritet të vendosin kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Zoti e ka fuqinë e madhe. U bënë 16 vjet dhe të gjithë familjarët që po kthehen po kthehen të vdekur. Neve po na thonë që janë gjallë, por pa i parë me sy nuk besoj”, thotë Ujkani për familjarët e tij.

I pyetur nëse ka folur me palën serbe ai përgjigjet: “Po, por nuk tregojnë asgjë. Njëri na thotë se, nëse merret vesh që është në kontakt me neve ia shuajnë familjen. Ndaj dhe nuk guxon të kallëzojë. Ai jep vetëm garancinë e tij që janë gjallë. Kryetarët e dy qeverive kanë për ta sjellë vendimin për lirimin e tyre, por janë shumë, janë 300 vetë. Me pak fjalë, ky diell është terr”, vijon Ujkani.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tregon se edhe në këto histori ka sekserë që përfitojnë nga gjendja e familjarëve dhe i ushqejnë me informata te pasakta, duke i dëmtuar edhe financiarisht. Kjo, sipas tij, bën që disa familje të mos i pranojnë eshtrat, pavarësisht analizave të ADN-së, pasi besojnë se janë ende gjallë. Gërxhaliu tregon se kanë marrë shkresë zyrtare nga Beogradi se në Serbi nuk ka burgje me shqiptarë të kohës së luftës.

“Gjatë kësaj eksperience 16-vjeçare kemi hasur në relacione të ndryshme. Janë të njohura edhe grupet e sekserëve të cilët përfitojnë nga tragjedia e dikujt tjetër. Deri vonë kemi pasur edhe raste kur kosovarët kanë dërguar mjete financiare, apo rroba në Serbi, me shpresën se familjarët e tyre janë gjallë diku në ndonjë nga burgjet private apo shtetërore, edhe pse ne si komision në vitin 2006 kemi marrë konfirmim në formën e shkruar nga pala serbe se nuk ka më persona të gjallë në territorin e Serbisë”, thotë Gërxhaliu.

Halil Ujkani thotë se ai vetë nuk ka dhënë para’ në këmbim të informatave për t’i gjetur familjarët e zhdukur, por tregon se familjarë të tjerë e kanë bërë këtë gjë sepse jetojnë me shpresën për t’i gjetur të gjallë: “Unë kurrë nuk kam dhënë, por njoh dikë që ka dhënë shumë herë para”.

Java e të pagjeturëve në Kosovë po shënohet nën përkujdesjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Në kuadër të saj do të organizohen aktivitete të ndryshme, përfshirë edhe një seancë me të vetmen pikë ne rendin e ditës: “Të zhdukurit e luftës”. Një përmendore pritet të zbulohet në qendër të Prishtinës më 27 prill, kur edhe është bërë një ndër masakrat më të mëdha në në Kosovë.

Top Channel