Bisedimet Kosovë-Serbi, Mustafa-Vuçiç pas samitit rajonal në Bruksel

22/04/2015 00:00

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini shfrytëzoi praninë për konferencën ballkanike të dy kryeministrave, Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiç në Bruksel, për të ndërmjetësuar raundin e radhës të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Të dy palët biseduan për progresin, drejt zbatimit të marrëveshjeve të arritura më parë në bisedime, veçanërisht për drejtësinë dhe nisjen e zbatimit të marrëveshjes mbi organizatën e mbrojtjes civile, që vepron në veri të Kosovës”, thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë pas mesnate, nga zyra e kryediplomates europiane.

“Të dy palët shkëmbyen pikëpamjet e tyre mbi çështjet e pazgjidhura, si energjia, telekomi dhe themelimi i Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe”, thuhet më tej në komunikatën e Mogherinit, e cila tregon se dy delegacionet janë pajtuar për hapat, që do të ndërmerren deri në raundin e radhës.

Kreu i Qeverisë kosovare pohoi se u fol për hapat në të ardhmen lidhur me energjinë, kodin telefonik ndërkombëtar dhe për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, por asnjë modalitet nuk është diskutuar me detaje, sipas tij. Kryeministri Mustafa tregoi se, kjo tryezë nuk diskutoi mbi procesin e privatizimit, ku serbët mund të konsultohen, siç u shpreh ai, në përputhje me ligjet vendase.

“Natyrisht që, çdo modalitet duhet të jetë në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi në Kosovë. Po ashtu jemi pajtuar për ngritjen e grupeve të veçanta, që do të ofrojnë kornizat sa i përket Asociacionit të Komunave. Lidhur me privatizimin, ka një kërkesë të Listës Serbe, që ajo të bëhet me miratimin e tyre, në mënyrë që ky proces të mos bëhet pa përfshirë komunat me shumicë serbe. Serbët e kanë një anëtar në bordin e AKP-së, e tani presim që Lista Serbe të nominojë anëtarin e tyre, meqenëse kanë shumicën në Kuvend”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Kryeministri Aleksandër Vuçiç rrëfeu për mediet vendase, se palët nuk u pajtuan mbi çështjen e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, por vetëm për hapjen e dy pikëkalimeve të tjera kufitare, në veri dhe në lindje të Kosovës.

Ai tha se u bisedua për mundësinë e kthimit të përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës, të cilët u larguan pas shkarkimit të ministrit serb. Shefi i Qeverisë së Beogradit pret më shumë progres deri në takimin e radhës, që pritet të mbahet muajin e ardhshëm.

Ky ishte raundi i dytë nën drejtimin e kryediplomates Mogherini, pas takimit të 9 Shkurtit, ku palët afruan qëndrimet mbi sistemin gjyqësor në veri të Kosovës. Me ndërmjetësimin e Brukselit, dialogu i mundëson Kosovës një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në, që pritet të nënshkruhet brenda këtij viti, ndërsa Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim, por çelja e kapitujve të parë me Beogradin kushtëzohet nga zbatimi në terren i marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut me Prishtinën.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel