Kosovë, tryezë për avantazhet dhe disavantazhet e Gjykatës Speciale

21/04/2015 00:00

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar vlerëson se themelimi i Gjykatës Speciale nuk mund të ndalohet.

Duke folur në një tryezë, me temë “Pasojat e Kosovës, nëse nuk e miraton Gjykatën Speciale”, Zhbogar tha se ka ardhur koha, që supozimet e raportit të Dick Martit dhe akuzat eventuale t’iu adresohen individëve dhe jo Kosovës. Ai foli qartë se çfarë – sipas tij – fiton Kosova, nëse e miraton vullnetarisht gjykatën dhe çfarë ndodh, nëse e vendos OKB-ja.

“Gjykata do të funksionojë nën ligjet e Kosovës, pjesë e sistemit juridik kosovar. Edhe pse ndikimi juaj mbi procedurat gjyqësore do të jetë i kufizuar, ju ende do të mund të negocioni për amendamentet kushtetuese, për ligjet, marrëveshjet dypalëshe me vendet pritëse. Pikërisht me anë të këtyre, ju do të keni ndikim mbi të ardhmen e funksionimit të gjykatës. Por nëse ndodh e kundërta dhe këtu vendoset një Gjykatë Ndërkombëtare, ju s’do të keni ndikim në ngritjen e saj. Ndaj, në vend që të jeni subjekt i gjykatës, ju bëheni objekt i saj”, tha Zhbogar.

Gjykata Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së pritet të vendoset në Holandë, por ambasadori holandez në Kosovë tha se, deri në formimin e gjykatës, ky shtet nuk është pjesë e procesit.

“Nëse dikush nuk ka çfarë të fshehë, atëherë nuk mund të jetë kundër kësaj gjykate. Holanda nuk është e përfshirë tani për tani, sepse ky është proces evropian. Vetëm kur të kompletohet procesi, atëherë mund të jemi edhe ne aty”, tha Robert Bosch, ambasador i Holandës në Kosovë.

Në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike u prezantua edhe një studim, mbi rreziqet që mund të ketë Kosova në rast se nuk e formon Gjykatën Speciale.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Teuta Sahatçija tha se Gjykata Speciale duhet të formohet, pasi pro kësaj gjykate tanimë janë deklaruar të gjitha shtetet mike të Kosovës.

“Mendoj se shteti i Kosovës, si çdo shtet i ri duhet të jetë në gjendje, që institucionet e tij të ballafaqohen me sfida jo të lehta, sfida të rënda, por të cilat do të sigurojnë një të ardhme të mirë të shtetit të Kosovës”, tha Teuta Sahatçija, deputete e LDK.

Edhe analistë dhe ekspertë të sistemit të drejtësisë vlerësuan se, formimi i Gjykatë Speciale është i pashmangshëm, por sipas tyre Kosova duhet të bëjë kujdes, që të mos dëmtojë besueshmërinë dhe sovranitetin e saj, duke bërë që të huajt të vendosin për të.

Top Channel