Prishtinë, aktivitet për të nxitur debatin mbi legalizimin e marijuanës

20/04/2015 00:00

Aktiviteti “Share Love, 4/20” i paralajmëruar për ditën e hënë në Parkun e Gërmisë në Prishtinë ka mobilizuar Policinë e Kosovës.

Vetë simbolika e këtij aktiviteti, i cili shënohet në vende të ndryshme të botës si dita e marijuanës, ka bërë që pjesëtarë të Policisë së Kosovës të kontrollojnë çdo qytetar, që është futur në këtë park. Gjatë këtij aksioni u ndaluan 7 persona për posedim të lëndëve narkotike në sasi të vogla dhe një me armë të ftohtë.

Prej  disa ditësh, që kur është paralajmëruar ky aktivitet në rrjetet sociale, mbi 4000 persona kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Por, në kohën kur ishte parashikuar tubimi simbolik, në orën 16:20, në parkun e Gërmisë ishin vetëm dhjetëra prej tyre.

Vullnet Krasniqi, gazetar i pavarur, tha për Top Channel se Policia e Kosovës, siç duket e ka keqkuptuar mesazhin, pasi sipas tij qëllimi i një aktiviteti të tillë është ngritja e debatit lidhur me legalizimin ose jo të marijuanës.

Edhe Hana Qena, anëtare e grupit “Haveit”, tha se në Kosovë është e nevojshme ngritja e debateve të tilla, duke kritikuar reagimin e Policinë e Kosovës ndaj këtij aktiviteti.

Ata pak të rinj, që iu përgjigjën ftesës për këtë aktivitet, pa dashur të flasin para kamerave, mendojnë se duhet legalizuar përdorimi i marijuanës në Kosovë.

Ata që iu përgjigjen ftesës kanë vazhduar festën me pije alkoolike e muzikë në parkun e Gërmisë. Ndërkohë, gjatë gjithë kohës ishin prezentë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, në mesin e të cilëve edhe civilë.

Top Channel