Kosovë, pakicat joserbe ngrenë zërin: Po diskriminohemi

20/04/2015 00:00

Komunitetet pakicë në Kosovë ndihen të diskriminuara përballë marrëveshjes për drejtësinë me palën serbe, e cila parashikon shtimin e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në institucionet e drejtësisë.

Ata kanë ngritur zërin gjatë seancave parlamentare, ndërsa për këtë kanë ftuar ministrin e Drejtësisë që të raportojë në komisionin parlamentar për komunitete.

Nga Ministria e Drejtësisë, në komision raportoi zëvendësministri Lirak Çelaj, i cili në fakt bëri një prezantim të marrëveshjes së drejtësisë të arritur më 10 shkurt të këtij viti.

Deputeti nga radhët e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha deklaroi se me këtë marrëveshje shkelet kapitulli 3, neni 57 dhe 58 të Kushtetutes për të drejtat e komuniteteve.

Sipas tij, marrëveshja është në kundërshtim edhe me nene të tjera të cilat flasin për përfaqësimin në punësim dhe institucione publike.

Duke iu përgjigjur kritikave, zëvendësministri Çelaj përmendi konkursin e shpallur për 48 gjyqtarë dhe 15 prokurorë, i cili është i hapur deri më 25 maj.

Ai tha se konkursi nuk ka bërë ndarje mes komuniteteve por iu dedikohet të gjitha pakicave. Ai e arsyetoi mungesën e komuniteteve të tjera në marrëveshje me faktin se dialogu është zhvilluar në raport me komunitetin serb.

Zëvendësministri kujtoi se, Kosova kritikohet nga Komisioni Europian për pasqyrim të dobët të karakterit multietnik në institucionet e saj. Sipas shifrave zyrtare, Kosova ka gjithësej 312 gjyqtarë, 6 prej tyre serbë, 9 boshnjakë, 1 turk dhe 2 RAE.

Ndërkohë, nga 139 prokurorë, 2 prej tyre serbë, 3 boshnjakë dhe 1 turk. Sa i përket shërbyesve civilë, në gjyqësor janë gjithësej 1.555 punonjës, 112 prej tyre serbë, 20 boshnjakë, 3 goranë dhe 11 RAE.

Ndërkohë, në sistmein prokurorial punonjnë 434 shërbyes civilë, vetëm 4 nga komuniteti serb, 8 nga ai boshnjak, 5 turq, 1 goran dhe po 1 nga komuniteti RAE.

Top Channel