Gjykata Speciale, Jahjaga pret zyrtarin amerikan

20/04/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga priti këtë të hënë në një takim të dërguarin e SHBA për çështjen e krimeve të luftës, Stephen Rapp, për të diskutuar mbi procesin e themelimit të Gjykatës Speciale.

Presidentja Jahjaga e njoftoi ambasadorin Rapp për përmbylljen e procesit të shqyrtimit të amendamenteve nga Gjykata Kushtetuese që i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, e cila do të sigurojë një proces të besueshëm dhe të përgjegjshëm për t’u përballur me akuzat e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës.

Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës tashmë kanë dëshmuar përgjegjësinë për këtë proces dhe mbeten të përkushtuara që të përmbushin këtë detyrim ndërkombëtar, që do të dëshmojë sipas saj seriozitetin e Kosovës si pjesëtare e përgjegjshme e arenës ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga theksoi se, duke u bazuar në rolin e saj kushtetues do të vazhdojë të angazhohet me të gjitha institucionet dhe grupet parlamentare për të diskutuar mbi përgjegjësitë dhe implikimet që dalin nga procesi i themelimit të Gjykatës Speciale, e cila nuk do të gjykojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, por do të përcaktojë përgjegjësinë individuale për akuzat e ngritura.

Gjatë mëngjesit ambasadori amerikan është pritur edhe nga kryeministri Mustafa, ndërsa pasdite ka një takim me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Mustafa e informoi zyrtarin për hapat që janë ndërmarrë nga institucionet e Kosovës në këtë drejtim, ndërsa theksoi përkushtimin e qeverisë dhe besimin e tij në pjekurinë e institucioneve të Kosovës për të marrë vendime të rëndësishme.

Sipas një komunikate, zoti Rapp vlerësoi punën e deritashme që kanë bërë institucionet e Kosovës si dhe inkurajoi për hapat e rëndësishëm dhe të nevojshëm që duhet të ndërmerren në vijim.

Top Channel