Serwer: Evropa, qasje raciste ndaj shqiptarëve

18/04/2015 00:00

Eksperti për çështjet e Ballkanit, profesori Daniel Serwer, i cili konsultohet shpesh nga Shtëpia e Bardhë për politikat në Ballkan, në një ligjëratë me studentët e Kosovës që po qëndrojnë për një vizitë studimore në Washington Spring School, ka deklaruar se Europa ka qasje raciste ndaj shqiptarëve.

“Sa i takon procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, ai është i stërvonuar dhe i pajustifikueshëm nga Europa”, ka deklaruar Serwer, sipas portalit “Lajmipress”.

Duke folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, ai ka theksuar se ndryshimi i kufijve do të sillte hapjen e “Kutisë së Pandorës”.

“Nuk mund të ketë as ndarje të Kosovës e as bashkim të saj me Shqipërinë. Ndryshimi i kufijve është hapje e Kutisë se Pandorës dhe kjo nuk i duhet Amerikës dhe aleatëve tanë në Europë”, ka thënë Serwer.

Sa për Gjykatën Speciale, analisti i njohur është shprehur se, nga njëra anë ajo është rezultat i dështimit të sistemit gjyqësor të Kosovës dhe, nga ana tjetër, përkushtim dhe insistim i Serbisë tek ndërkombëtarët që kjo gjykatë të ngrihet.

“Çështja shqiptare sot nuk është prioritet në Uashington. Fatkeqësisht, ka shumë prioritete të tjera më të mëdha me të cilat ballafaqohet politika e jashtme amerikane, si ISIS, Korea e Veriut, Irani etj”, ka shtuar Serwer.

Top Channel