Kosovë, i hapet rrugë dekretimit të kryeprokurorit

18/04/2015 00:00

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka hapur rrugë dekretimit të Aleksandër Lumezit për Kryeprokuror të Shtetit.

Emri i Lumezit prej disa muajsh është duke pritur dekretimin nga presidentja Jahjaga, pasi kishte marrë votat e mjaftueshme në Këshillin Prokurorial për këtë post, por që për shkak të procedurave të ndjekura, Gjykata Kushtetuese kishte kërkuar trajtimin e materialit të kësaj çështjeje.

Në një letër dërguar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, kryetari i Kushtetueses Enver Hasani ka thënë se, pas shqyrtimit të dokumentacionit të dorëzuar nga Këshilli Prokurorial, gjykata vëren se nuk ka ndonjë shkelje.

Por ajo vlerëson se përsëritja e zgjedhjes së kryeprokurorit nga Këshilli Prokurorial është në kompetencë të presidentes Atifete Jahjaga që të vendosë.

“Sa i përket procedurës së përsëritur të zgjedhjes, tani i takon Presidentes së Republikës së Kosovës që në bazë të mandatit të saj kushtetues ta vlerësojë atë procedurë”, thuhet në letrën e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata i ka rikujtuar Këshillit Prokurorial se çdo çështje lidhur me procedurën e përsëritur, e cila mund të ketë bazë kushtetuese për t’u diskutuar, duhet t’i referohet kësaj instance gjyqësore në mënyrë ligjore, pasi sipas shkresës “Gjykata nuk mund të veprojë ex-officio”.

Tani mbetet që presidentja të vendosë nëse do ta dekretojë Aleksandër Lumezin për kryeprokuror apo jo.

Top Channel