Rikthehen në punë serbët e vetëdorëhequr nga Dogana e Kosovës

10/04/2015 00:00

Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna, dhe ambasadori norvegjez në Kosovë, Ian Braathu, njoftuan në një konferencë të përbashkët për shtyp lidhur me rikthimin në vendet e punës të ish-punonjësve nga pjesa veriore në Doganën e Kosovës.

Ministrja Tahiri theksoi se, Qeveria e Kosovës vlerëson lart procesin e rikthimit në vendet e punës të Doganës së Kosovës të punonjësve serbë të veriut të vendit, proces ky që u realizua me sukses sot, kur këta punonjës nënshkruan kontratat e punës me Doganën e Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dëshmoi sërish përkushtimin për politikat integruese për komunitetet, e në veçanti të serbëve të asaj pjese, që për arsye të njohura nuk ishin të gatshëm për këtë proces”, ka thënë ministrja Tahiri, duke shtuar se kërkesa e këtyre punonjësve për rikthim në punë, ndonëse kishin dhënë dorëheqjen në vitin 2008, hasi në mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë të Doganës së Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna tha se institucioni që ai drejton ka mirëpritur kërkesën e këtyre oficerëve doganorë, që të rikthehen në vendet e punës, proces ky i bërë në bazë të ligjeve të Kosovës. Ai bëri të ditur se janë nënshkruar 20 kontrata, ndërsa 4 kontrata të tjera priten të nënshkruhen në ditët në vijim, për arsye se 4 ish-punonjës mungonin fizikisht, pavarësisht se i kanë kaluar të gjitha fazat e verifikimeve.

Ndërsa ambasadori Ian Braathu theksoi se, ky proces rikthimi i punonjësve të Doganës tregon gatishmërinë dhe vullnetin e institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin edhe të serbëve të veriut, si dhe u shpreh i lumtur që Ambasada e Norvegjisë i dha mbështetje projektit të dialogut mes institucioneve dhe qytetarëve të pjesës veriore të Kosovës.

Top Channel