Kosovë, BERZH kërkon të jetë aksionere në PTK

10/04/2015 00:00

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim i është ofruar Qeverisë së Kosovës, që të bëhet bashkëpunëtore në investimet e reja në Postë Telekomin e Kosovës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka vizituar të premten stafin menaxherial të PTK-së, të cilët i ka njoftuar me ofertën e mundshme për partneritet, por atë do ta shqyrtojnë ekipet e ekspertëve të ndërmarrjes, si dhe aksioneri i kompanisë, që në këtë rast është Qeveria.

“Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim na është drejtuar me një letër, që mund të jetë asistuese në kuptimin teknik, profesional dhe financiar për strategjinë e modernizimit të PTK-së. Ende jemi në fazat e para të saj, ndaj presim që pas kësaj letre dhe përgjigjes që ne u kemi dhënë, përfaqësuesit e BERZH-it të takohen me përfaqësuesit e PTK-së. Janë këta të fundit, ata që do të mund të bisedojnë në nivelin teknik dhe do të shohin se cilat janë nevojat nga PTK-ja dhe cilat janë propozimet nga BERZH-i”, tha Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Eonomik.

Kryeshefi ekzekutiv i Postë Telekomit kosovar, Agron Mustafa tha se ndërmarrja që ai drejton gjeneron të ardhura të mëdha dhe ka potencial për rritje, por ai shtoi se i mbetet Qeverisë, si aksionere, të vendosë për partneritete me të tjerë.

“Për aq kohë sa do të na ofrohet, qoftë edhe ndonjë ndihmë financiare me terma ekonomik të volitshëm për ne, me të vetmin qëllim modernizimin e infrastrukturës dhe teknologjisë sonë që kemi aktualisht, atëherë do ta konsiderojmë shumë seriozisht dhe, së bashku me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik do t’i marrim vendimet, që do të jenë më të mirat për kompaninë”, tha Agron Mustafa, kryeshef i PTK.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, dhe udhëheqësit e Postë Telekomit panë nga afër edhe investimet e fundit, që ka bërë Postë Telekomi për ofrimin e rrjetit 3G dhe 4G, që sipas kryeshefit Agron Mustafa do të vihet në funksion në fund të këtij muaji.

Postë Telekomi i Kosovës i jep çdo vit dhjetëra milionë euro dividentë Qeverisë, si aksionere, por këtë vit për shkak të investimeve në teknologji, PTK ka shprehur gatishmërinë që të ndajë dividentë në shumën 10 milionë euro, edhe pse Qeveria ka kërkuar nga Postë Telekomi 30 milionë euro dividentë.

Top Channel