Kosovë, kryeinspektori i AKI përgjigjet në Kuvend

08/04/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës kërkon nga Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës të hetojë për mënyrën e punësimit të personelit gjatë periudhës që AKI udhëhiqej nga Bashkim Smakaj.

Kjo është një nga detyrat e para që i janë caktuar kryeinspektorit të ri. Pas takimit të parë me komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e agjencisë, kryetari i komisionit, Haxhi Shala, tha se qëllimi është që të hiqen dilemat nëse ish-shefi i shërbimeve sekrete ka punësuar të afërm të tij.

“I kemi dërguar shkresën që ai duhet të bëjë një auditim, që të heqim të gjitha dilemat e deritanishme se drejtori i mëparshëm ka punësuar në polici shokë ose miq, në mënyrë që të kemi një raport me më shumë detaje dhe të fillojë punën mbarë si inspektor”, deklaroi Shala.

Shkëlzen Sopjani e ka marrë këtë vit postin e Kryenspektorit të Përgjithshëm duke zëvendësuar Agron Selimajn, i cili ishte emëruar drejtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Hetimi dhe marrja në pyetje e punonjësve të AKI-së është në fakt detyrim që buron nga ligji për agjencinë, i miratuar në Kuvend.

Ligji, mes të tjerash, specifikon se Inspektori i Përgjithshëm ka të drejtë të marrë në pyetje punonjësit e AKI-së dhe të ketë qasje në objektet dhe të dhënat e institucionit, me qëllim hetimin, inspektimin apo auditimin e brendshëm.

Ndërkohë, pavarësisht pyetjeve të deputetëve, qeveria ende nuk e ka sqaruar arsyen e largimit të Bashkim Smakajt nga detyra. Ndërsa informacione përveç atij zyrtar, se Smakaj ka dhënë dorëheqjen, nuk ka as kryetari i komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së.

Top Channel