Kuvendi vendos: Ndërmarrjet publike, jo më kompetencë e komunave

07/04/2015 00:00

E ardhmja e gjigantit metalurgjik “Trepça” do të qartësohet me ligj të veçantë enkas për të, pas studimit dhe strategjisë që do të bëhet, ndërsa komunat nuk pritet të kenë kompetencë për ndërmarrjet e rëndësisë së veçantë.

Ky është vendimi i Kuvendit të Kosovës në kuadër të ligjit për ndërmarrje publike, i miratuar këtë të martë në Kuvend. Ndryshime të tjera janë bërë nga Komisioni funksional për Zhvillim Ekonomik i Kuvendit. Kryetari Muhamet Mustafa tha se, nëpërmjet këtij ligji, bordet e ndërmarrjeve publike do të kenë më shumë përgjegjësi, nga sa kanë pasur në të kaluarën, përsa i përket përformancës.

“Janë tri kritere ku bordet do të vlerësohen: Së pari, performanca e tyre në realizimin e kufijve të përcaktuara në planin e biznesit; së dyti vlera e aseteve, nëse janë në rritje apo në rënie dhe së treti, niveli i kënaqshmërisë së konsumatorëve me ndërmarrjen publike. Nëse në këto tri çështje, bordet dështojnë në qeverisjen koorporative, atëherë duhet të bëhet një raport dhe duhet të merren masa korigjuese, duke përfshirë edhe përgjegjësinë e bordeve”, tha Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik.

Kuvendi nuk i dha mbështetje amendamentit të Lëvizjes së Vetëvendosjes, sipas të cilit ndërmarrjet publike në Kosovë duhet të privatizohen me dy të tretat e të gjithë deputetëve. Arsyetimi nga Qeveria për këtë ishte se rrezikohet të bllokohet procesi i privatizimit.

“Ne, sigurisht duhet ta diskutojmë në të ardhmen çështjen, nëse kjo duhet të jetë me shumicë të thjeshtë apo me shumicë absolute, dhe jo me 2/3-tat. Qëndrimi yne është që duhet ta diskutojmë dhe ta analizojmë shumë më mirë”, tha Besim Beqaj, deputet i PDK-së.

“Me këtë rast do t’i shtohet pesha vendimmarrëse Kuvendit të Republikës karshi këtyre ndërmarrjeve, që – po e përsëris – janë në rëndësi të publikut, sepse aktualisht Kuvendi i Kosovës, me rregullat siç i kemi, është një lavatriçe e vendimeve të Qeverisë për sa i përket privatizimit të ndërmarrjeve. Çështja e fundit, se përse duhet ta kemi një votë të cilësuar karshi procesit të privatizimit, mendoj se arritja e një konsensusi do t’i sillte dobi procesit të privatzimit, qoftë në rritjen e transparencës, ashtu dhe në rritjen e cilësisë”, tha Visar Ymeri, deputet i VV-së.

Më tej gjatë seancës, në kuadër të kërkesës për transferimin e 20 mijë eurove për “Lapidarin e Lirisë” në komunën e Gjakovës, deputetët kosovarë debatuan gjatë për memorialet e dëshmorëve, duke shpalosur kështu edhe gjendjen e mjerë, në të cilën janë lënë nga shteti.

“Premtimi publik i ish-kryeministrit të Kosovës, më 9 Prill 2009, ka qenë se vitin e ardhshëm në Koshare do të jenë të përfunduara varrezat, lapidari, kompleksi dhe rrugët. Tashmë jemi në vitin 2015 dhe ju them sinqerisht, edhe për Qeverinë ekzistuese, se akoma trupat e dëshmorëve të Koshares janë në morgun e Rahovecit, për shkak të neglizhencës së Qeverisë së kaluar”, tha Daut Haradinaj, deputet i AAK-së.

Kuvendi i Kosovës, në këtë seancë miratoi ligjin për Agjencinë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, si dhe zgjodhi dy anëtarë të Këshillit të pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Top Channel