Kosovë, evidentohet rritje e mosdeklarimit të pasurive mes zyrtarëve

07/04/2015 00:00

71 zyrtarë të lartë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre dhe nuk kanë dhënë ndonjë arsye, gjatë procesit të rregullt vjetor të deklarimit të pasurisë, kurse 4 zyrtarë të tjerë, të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë, kanë dhënë arsyet objektive të mosdeklarimit, si për shembull ndodhja e tyre jashtë vendit për kurim, apo ndodhja në paraburgim.

Në një komunikatë të Agjencisë kundër Korrupsionit, këtë vit deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë duhej ta bënin 4200 zyrtarë, ndërsa e kanë bërë 4125 zyrtarë, ose shprehur në përqindje rreth 98.3 për qind.

Siç dihet, vitin e kaluar vetëm dy zyrtarë nuk e patën deklaruar pasurinë, ndërkohë që viti 2014 pati shënuar deklarimin në nivelin më të lartë, që prej vitit 2007. Këtë vit ka një rritje të mosdeklarimit.

Drejtori i agjencisë, Hasan Preteni tha se kjo rritje e mosdeklarimit mund të jetë rezultat i mos sanksionimit nga ana e gjykatave.

Sidoqoftë agjencia, ashtu sikurse ka vepruar në të kaluarën, konform nenit 437 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, do t’i adresojë kallëzimet penale nëpër gjykatat kompetente, ndaj të gjithë këtyre zyrtarëve që nuk i janë përgjigjur detyrimit të tyre ligjor, pa dhënë arsye objektive.

Top Channel