Mandati i Koço Kokëdhimës, PD: T’i hiqet, abuzoi me fondet

06/04/2015 00:00

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u mblodh pasditen e së hënës për të diskutuar kërkesën e dorëzuar nga Partia Demokratike për heqjen e imunitetit të deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima.

Kokëdhima akuzohet nga demokratët se në konflikt interesi dhe në shkelje të ligjit ka përfituar fonde nga buxheti i shtetit për llogari të kompanive të tij , në një kohë që ishte zgjedhur deputet i Kuvendit.

“Bazuar në analizën në tërësi të dispozitave kushtetuese dhe ligjore relevante, faktit dhe rrethanave të çështjes, ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, arrijmë në përfundimin se deputeti Koço Kokëdhima ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë të parashikuara nga nenet 70/2, 70/3 të Kushtetutës si dhe nenet 28 të Ligjit 9367 të 2005 në të paktën 150 raste. Në këto kushte grupi parlamentar i Partisë Demokratike, në përputhje me nenet 70 dhe 71 të Kushtetutës, nenit 13 të Rregullores së Kuvendit kërkon mbledhjen e këtij Këshilli, i cili pasi të shqyrtojë kërkesën ta dërgojë për shqyrtim në parlament dhe më pas në Gjykatën Kushtetuese”, tha Ristani.

Ndërkohë, avokati i deputetit Koço Kokëdhima, Artan Hajdari tha se kërkesa është e pabazuar në lig. Ai rrëzoi akuzat e Partisë Demokratike dhe tha se vërtet klienti i tij është aksioner në një kompani që rezulton përfituese e fondeve publike, por shtoi se këto fonde janë marrë përpara se ai të merrte mandatin e deputetit.

Sipas avokatit, Hajdari prej datës 2 gusht 2013 kompania e Koço Kokëdhimës nuk ka përfituar asnjë fond publik dhe se të gjitha fondet e siguruara pas kësaj date kanë qenë pjesë e kontratës 1-vjeçare të nënshkruar në fillim të vitit 2013-të, kohë kur në pushtet ishin ende demokratët. Avokati kërkoi që të mos paralelizohej rasti i klientit të tij me atë të Ilir Beqajt katër vite më parë.

“Nuk ka asnjë shtim të pasurisë së deputetit pas marrjes së mandatit. Nuk mund të krahasohet kjo çështje me rastin ‘Beqaj’ sepse çështja ‘Beqaj’ ka një natyrë krejt tjetër dhe kemi të bëjmë me pjesëmarrje në tendera pasi ka marrë mandatin e deputetit ”, tha avokati Hajdari.

Me shumë gjasa Këshilli do të dalë me dy qëndrime që do të paraqiten për votim në seancë plenare. Duke patur parasysh se kërkesa e tyre për heqjen e mandatit mund të rrëzohet në votimin e thjeshtë, atëherë Partia Demokratike thotë se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur këtë çështje.

Top Channel