Durrësi, PR këmbëngul për Agron Duken. Mediu: PD s’dëshiron koalicion

06/04/2015 00:00

Durrësi është ‘molla e sherrit’ në kampin opozitar. Partia Republikane këmbëngul në kandidaturën e Agron Dukës, ndërkohë që nga demokratët nuk ka ende një emër zyrtar.

Dhe duket se përgjigjja e Partisë Demokratike për kandidaturën e zotit Duka do të jetë ajo që do të vendosë nëse republikanët dhe demokratët do të jenë bashkë në këto zgjedhje. Për kreun e PR-së, Fatmir Mediu deri më tani PD ka lënë të kuptohet se dëshiron që të shkojë e vetme në zgjedhje.

“Ka një vendim të kryesisë së Partisë Republikane për të dalë edhe e vetme në zgjedhje sepse nga ajo që po kuptojmë deri më tani duket sikur Partia Demokratike dëshiron të shkojë e vetme në zgjedhje”, tha ai.

Mediu mbrojti kandidaturën e Dukës kur tha se ai është personi i duhur për të djathtën.

“Nuk kërkojmë nder për PR! Kërkojmë marrëveshje politike të bazuar në disa kritere. Propozojmë një emër për të fituar Durrësin, për të fituar zgjedhjet. Dukës i është kërkuar me këmbëngulje që të kandidojë, nuk doli vetë të kandidojë. Nga sondazhet Duka del kandidati më i fortë i së djathtës, por edhe më i fortë se vetë kryetari i aktual i bashkisë. Pas gjithë kësaj mundësie, madje edhe pas një sondazhi edhe të vetë PS që ka nxjerrë sërish Agron Dukën fitues, kemi diskutime të brendshme nga intriga të ulta deri tek ato të tipi Durrësi na takon ne, por unë them që Durrësi u takon qytetarëve të Durrësit”, deklaroi Mediu.

 Ndërkohë vetë Agron Duka ka deklaruar se ka qenë vetë Basha ai që i kërkoi kandidimin më herët, megjithatë u shpreh se do të respektojë vendimin e Partisë Republikane, nëse ai vendim do të jetë për të mbështetur një emër të propozuar nga PD.

Top Channel