Kosovë, digjen makinat e dy policëve serbë në veri

02/04/2015 00:00

Një automjet i markës “Ford Mondeo”, me ngjyrë të zezë dhe pa targa, pronë e policit serb Milivoje Miletiç, është djegur tërësisht gjatë natës.

Lajmin e bëjnë të ditur burime të agjencisë së lajmeve “KosovaPress”, sipas të vilave, Miletiç punon në njësitin anti-drogë në jug të Mitrovicës, ndërkohë që në momentin e djegies, automjeti i tij ka qenë i parkuar para stacionit të policisë në veri të qytetit.

Mësohet po ashtu se një automjet tjetër, tip “BMW” me ngjyrë gri, pronë e një tjetër polici serb të Kosovës, Sërgjan Kostiç, është djegur gjatë natës në Lagjen e boshnjakëve, në veri.

Burime të agjencisë së sipërpërmendur kanë thënë se të dyja automjetet janë djegur në të njëjtën kohë, rreth orës 2:20 të mëngjesit.

Djegien e këtyre automjeteve e ka konfirmuar vetë shefi i sallës operative në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut, Zhelko Bojiç.

Top Channel