Kosovë, ligje të reja për kulturën e televizionin. Rritet akciza për makinat

01/04/2015 00:00

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për normat e reja të akcizës për automjetet e importuara, sipas viteve të amortizimit dhe fuqisë motorike.

Kabineti qeveritar, në mbledhjen e së mërkurës të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka miratuar po ashtu edhe projektligjin për Trashëgiminë Kulturore. Qëllimi i këtij projektligji është mbrojtja dhe ruajtja e pronave, objekteve dhe vlerave të Trashëgimisë Kulturore në Kosovë.

Projektligji për Trashëgiminë Kulturore përcakton edhe masat ligjore për inventarizim, hulumtim, dokumentim, përzgjedhje, konservim, restaurim, administrim dhe promovim të Trashëgimisë Kulturore, në pajtim edhe me aktet ndërkombëtare.

Projektligj tjetër i miratuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme është edhe ai për dixhitalizimin e Transmetimeve Radio Difuzive Tokësore, i cili rregullon procesin kalues nga emetimi analog në atë dixhital në Kosovë dhe, si i tillë duhet të përfundojë deri më 17 Qershor 2015.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani ka njohur kabinetin qeveritar për gjendjen e krijuar nga vërshimet në Komunën e Vitisë dhe nevojën e një aksioni të koordinuar për tejkalimin e gjendjes.

Top Channel