Mustafa kërkon mbështetjen financiare të ndërkombëtarëve

31/03/2015 00:00

Kryeministri Isa Mustafa kërkon nga Bashkimi Europian, që ta mbështesë financiarisht Kosovën edhe më tej drejt rimëkëmbjes ekonomike.

Në konferencën e përbashkët për zhvillim socio-ekonomik, Mustafa theksoi se kufizimet buxhetore, investimet në sektorin publik nga buxheti i shtetit, kursimet në bankat komerciale, si dhe kualiteti i kreditimit nga këto banka është i pamjaftueshëm, që Kosova të ketë një zhvillim të atillë, që mundëson zvogëlimin e papunësisë apo problemeve të tjera.

“Kosova ka nevojë për një rol më të madh të BE-së dhe të institucioneve financiare evropiane, siç është Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Banka Evropiane për Investime, Banka Gjermane për Zhvillim dhe veçmas, rol më të veçantë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Impakti financiar i këtyre institucioneve në ekonominë e vendit tonë është shumë i rëndësishëm, por ne vlerësojmë se ende nuk është në nivelin për të cilin ne kemi nevojë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

“Për shkak të migrimit të javëve të fundit, me valën më të madhe të ikjeve në dhjetor, u vu re se Kosova ka nevojë për një kornizë të zhvillimit ekonomik, një rritje ekonomike që do të ndikojë në hapjen e vendeve të reja të punës. Kjo është punë e më shumë se një qeverie dhe kërkon angazhim shumëvjeçar”, tha Jean Eric Paquet, drejtor për Ballkanin Perëndimor nga Komisioni Europian.

Përkrahja nga përfaqësuesit e Bankës Botërore në këtë konferencë nuk mungoi, ndonëse drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore tha se, për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, Kosovës i duhen dekada.

“Duhen dekada për zhvillimin e Kosovës dhe duhet të nisim të punojmë që nga sot. Nëse e bëjmë këtë tani, e jo në vitet e ardhshme, ju si Qeveri do të zini vend në histori duke kryer punët tuaja për këtë vend të ri, për fëmijët tuaj. Jam shumë e ngazëllyer, sepse sot do të dëgjojmë nga ju për programin tuaj qeveritar, që keni aprovuar. Në këtë mënyrë kemi mundësi, që edhe ne si partnerë ndërkombëtarë të kuptojmë prioritetet dhe vizionin tuaj për zhvillimin”, tha Ellen Goldstein, drejtoreshë dhe koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin edhe ministra të kabinetit qeveritar që mbulojnë Financat, Tregtinë, Zhvillimin Ekonomik dhe Integrimet Europiane.

Top Channel