Kosovë, “drejtësia që vonohet” për krimet e luftës

31/03/2015 00:00

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka prezantuar raportin me titull “Drejtësia që vonohet”, që lidhet me gjykimet e krimeve të luftës dhe veprave penale të motivuara etnikisht dhe politikisht. Bazuar në këtë raport, nga përfundimi i luftës janë ngritur 39 aktakuza, ku përfshihen 9 shqiptarë, 37 serbë dhe 2 shtetas të kombësive të tjera.

Koordinatorja e këtij projekti, Anka Kurteshi-Hajdari tha se, në Kosovë thuajse nuk ka fare drejtësi për viktimat e krimeve të rënda. Bazuar te të dhënat e hartuara, ajo nënvizoi se nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000, në Kosovë janë vrarë dhe zhdukur 13 mijë e 535 persona.

“Që përshtypjet të jenë edhe më të fuqishme, për pafuqinë e sistemit të pushtetit të ligjit, i cili ndjek kriminelët e luftës, flasin edhe të dhënat, që deri më tani janë dënuar për krime lufte në Kosovë vetëm 20 persona, me vendimin të prerë. Prej tyre, 17 shqiptarë dhe 3 serbë dhe, në fund, vlen të përmendet se aktualisht para gjykatës, në faza të ndryshme të procedurës, gjenden 10 lëndë për krime lufte, me 37 persona të akuzuar; 32 shqiptarë dhe 5 serbë”, tha Anka Kurteshi-Hajdari, koordinatore e projektit.

Kurteshi-Hajdari tha se përgjegjësia për këtë drejtësi të vonuar është si e ndërkombëtarëve, ashtu edhe e vendorëve.

“Të gjitha rastet e krimeve të luftës, fillimisht janë trajtuar nga UNMIK-u, pastaj i janë transferuar EULEX-it. Është me rëndësi, që suksesi apo përgjegjësia për trajtimin e ngecjeve eventuale në trajtimin e këtyre rasteve, i takon drejtësisë ndërkombëtare, po aq sa i takon edhe institucioneve vendore”, tha Lirak Çelaj, zv.ministër i Drejtësisë.

Ndërsa ushtruesja e detyrës së kryeprokurores, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Sevdije Morina tha se Prokuroria Speciale ballafaqohet me mungesë të kapaciteteve njerëzore.

“Edhe ato raste, që i kanë në duar prokurorët vendorë dhe kërkojnë të lëshojnë autorizime, përgjigjja e hetuesve nga policia kryesisht është se nuk kanë kapacitete, se janë të tjera raste me prioritet, dhe se nuk mund të hetohet rasti i caktuar tani për tani. Këto zvarritje dhe ky nivel i kapaciteteve, si në Prokurori ashtu edhe në polici, do të ndikojnë në ndjekjen e këtyre veprave penale, krimeve të luftës, ndërsa të dëmtuarit do të vazhdojnë të mos i realizojnë të drejtat e tyre, për të pasur një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme”, tha Sevdije Morina, kryeprokurore në PSRK.

Morina tha se janë prapa me themelimin e një departamenti të posaçëm për krime lufte, pasi shumë shpejt të gjitha këto raste duhet të barten te prokurorët vendorë.

Top Channel