AAK: Qeveria, 100 ditë të dështuara në aspektin e sigurisë

31/03/2015 00:00

Departamenti për politikat e mbrojtjes dhe sigurisë në partinë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka vlerësuar me notë negative 100 ditët e qeverisë së kryeministrit Isa Mustafa në aspektin e sigurisë.

Sipas AAK, që pretendon se ka konstatuar 12 dështime, qeveria është treguar indiferente në takimin e dy qeverive shqiptare, nga ku nuk pati asnjë marrëveshje mes palëve lidhur me bashkërendimin në fushën e mbrojtjes.

“Kryeministri Mustafa ka bërë gabim që në Ministrinë e Forcës së Sigurisë dhe Ministrinë e Brendshme ka emëruar ministra jo profesionalë”, thuhet në një deklaratë për shtyp të partisë së Ramush Haradinaj.

Sipas saj, dështimi i qeverisë për të krijuar besim dhe siguri ka ndikuar edhe në ikjen e rreth 100 mijë qytetarëve jashtë vendit.

“Në 100 ditë qeverisje, qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për ta bërë Forcën e Sigurisë së Kosovës, Forcë të Armatosur të Kosovës”, thotë më tej njoftimi i shpërndarë nga AAK.

Top Channel