Prishtinë, vritet roja i një qendre tregtare

30/03/2015 00:00

Hetimet e para të Policisë së Kosovës nxjerrin dyshimin se Nazmi Ramadani, roja i vrarë në një qendër tregtare në Prishtinë është sulmuar nga dy persona të maskuar, të cilët vazhdojnë të jenë në arrati.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka marrë në pyetje disa persona gjatë ditës në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa ka zgjeruar hetimet në kërkim të vrasësve. Nazmi Ramadani u qëllua nga hajnat, të cilët sipas Policisë ishin futur në qendrën tregtare me qëllim vjedhjen e një kasaforte.

Pronarët e qendrës tregtare kanë kërkuar drejtësi, ndërsa kanë premtuar ndihmë mujore pa afat për familjen e viktimës.

* Në orët e para të së hënës është vrarë një roje e një qendre tregtare në
Prishtinë. Rasti është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës,
Daut Hoxha.

“Policia ka marrë informatën dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Aty ka gjetur një person me plagë të marra në gjoks, që dyshohet të jenë shkaktuar nga armë zjarri. Nga mjeku i emergjencës është konfirmuar vdekja e viktimës në vendin e ngjarjes. Njësitë policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme fillestare dhe ato hetimore për të sqaruar rrethanat, ndërsa policia është në kërkim të autorëve që dyshohet se kanë kryer këtë krim”, ka thënë Daut Hoxha.

Dyshimet e para, sipas zyrtarit për informim të policisë, kanë të bëjnë me një vjedhje në proces. Policia e Kosovës është duke marrë në pyetje disa dëshmitarë lidhur me rastin.

Top Channel