Takimi i Mogherinit me presidenten Jahjaga

26/03/2015 00:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, me të cilën diskutuan për zhvillimet politike në vend dhe rajon dhe agjendën evropiane të Kosovës.

Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës janë të angazhuara për të përshpejtuar përmbushjen e të gjitha kritereve të mbetura deri në qershor, që do të mundësojnë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave ndaj qytetarëve të Kosovës dhe për të përmbyllur Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në fillim të verës së këtij viti, për të vazhduar me zbatimin e saj në fillim të vitit të ardhshëm.

Ajo inkurajoi Përfaqësuesen e Lartë Mogherini, që BE-ja të vazhdojë të ndërtojë politikë konsensuale në raport me Kosovën, që ajo të gëzojë të njëjtin trajtim me të gjitha shtetet e tjera të rajonit.

Presidentja Jahjaga shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë. Duke përshëndetur numrin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe konstruktivitetin e palëve në procesin e dialogut, Presidentja Jahjaga theksoi rëndësi e zbatimit të këtyre marrëveshjeve, si dëshmi të vullnetit politik dhe parakusht për përparimin e shteteve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Presidentja Jahjaga e njoftoi zonjën Mogherini me përpjekjet e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e marrëveshjes ndërkombëtare për themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do të trajtojë akuzat e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova do të dëshmojë përkushtimin e saj, për sundimin e rendit dhe ligjit dhe në respektim të plotë të parimit të drejtësisë.

Top Channel