Ymeri takohet me Minxhozin: Angazhim ekonomik mes dy vendeve

24/03/2015 00:00

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri u takua sot me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Gjatë takimit palët diskutuan lidhur me mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që u mbajt dje në Tiranë, dhe sipas komunikatës për shtyp të shpërndarë nga Vetëvendosje, ambasadori Minxhozi shpjegoi disa prej temave të diskutuara në mbledhjen e dy qeverive, si dhe marrëveshjet e arritura. Ambasadori Minxhozi e vuri theksin te nevoja për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Nga ana e tij, kryetari Ymeri propozoi që mbledhje të tilla mes dy qeverive të ndiqen edhe me mbledhje të përbashkëta midis komisioneve parlamentare të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe për të propozuar edhe marrëveshje të tjera në të ardhmen. Kryetari Ymeri e mbështeti nevojën për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, me qëllim ndërtimin e një tregu të unifikuar.

Në këtë takim, kryetari Ymeri shoqërohej nga nënkryetarja e Kuvendit prej VV, Aida Dërguti, dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes, Boiken Abazi.

Top Channel