Buxhetet për festivalet e Kulturës, kërkohet dorëheqja e ministrit

24/03/2015 00:00

Arsyetimi një ditë më parë i Ministrisë së Kulturës, se këtë vit prioritet buxhetor kanë institucionet të varësi të Ministrisë më shumë sesa festivalet dhe ngjarjet kulturore në Kosovë, ka mbledhur bashkë në një konferencë organizatorët e festivaleve kryesore kulturore në vend.

Rjeti i organizatave të pavarura të kulturës në Kosovë, Forumi Kulturor, në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat e pavarura të kulturës dhe artistët e lirë, të martën kërkuan shkarkimin e ministrit të Kulturës, Kujtim Shala.

“Deklaratat publike dhe qëndrimi pas këtyre vendimeve, të marra nga ministri i Kulturës, nuk na lë rrugë tjetër përpos që të kërkojmë nga kryeministri i Kosovës të shkarkojë ministrin e Kulturës në një afat sa më të shkurtër, të rishikojë këtë vendim dhe të bëjë publike procedurat, që kanë sjellë këtë vendimmarrje. Gjithashtu edhe të nisë një proces të ri, që do të krijojë mekanizma për të sqaruar këtë gjendje urgjentisht”, tha Albert Heta, drejtor i Stacion-Qendra për Art Bashkëkohor.

Kjo mënyrë e ndarjes së buxhetit u vlerësua si tendencë për centralizim të kulturës. Ndërsa deklarata e këshilltarit të ministrit, Vehbi Miftari, se do të ketë thirrje të dytë për mbështetje të projekteve, u vlerësua vetëm si lajthitje, pasi sipas këtyre organizatave kulturore kjo nuk është prekur fare në konkurs. Organizatorë të festivaleve ndihen të rrezikuar se ky vendim mund të çojë deri në anulimin e edicioneve të këtij viti.

“Ne si ‘Chopin Piano Fest’ dhe ‘Jazz Fest’, por edhe të gjitha festivalet e tjera që i kanë bërë nder këtij vendi për kaq vite me radhë prej fundit të luftës, jemi tërësisht të detyruar ose t’i rishikojmë programet, ose t’i anulojmë”, tha Besa Luzha, drejtoreshë e “Chopin Piano Fest”.

“Për ne nuk është problem ndarja e buxhetit, por personalisht mendoj se problem është mënyra si po e sulmojnë skenën e artit të të rinjve, për shkak se festivalet ‘SkenaUp’ dhe ‘DAM Fest’ janë festivale, të cilat u dedikohen studentëve dhe artistëve të rinj”, tha Hana Qena, drejtoreshë e festivalit ndërkombëtar të studentëve të filmit dhe teatrit “Skena Up”.

Rrjeti i këtyre organizatave e vlerësoi këtë vendim si goditje në veprimtarinë e lirë shoqërore, ndaj nëse nuk shkarkohet ministri Kujtim Shala, ata paralajmëruan kërkesë për tërheqjen e të gjithë përfaqësuesve të shoqërisë civile, në të gjitha mekanizmat e qeverisë, përfshi edhe këshillat e institucioneve të kulturës.

Top Channel