Kosovë, Kuvendi dy seanca; Mustafa në interpelancë

23/03/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës gjatë kësaj jave do të mblidhet dy herë. Përveç seancës së rregullt të së enjtes, ku do të shqyrtohen disa projektligje dhe do të mbahet një debat parlamentar, do të zhvillohet edhe një seancë të premten, ku kryeministri Isa Mustafa do të paraqitet në interpelancë parlamentare.

Kryesia e Kuvendit vendosi që interpelanca e kryeministrit, për përgjegjësinë kushtetuese të qeverisë lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale, e propozuar nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes, të mbahet më 27 mars, në orën 10:00.

Ndërkohë, pas mbledhjes së Kryesisë, kryetari Kadri Veseli ka replikuar me ish-ministrin e Brendshëm, Bajram Rexhepi lidhur me aktivitetin e SHIK-ut, pas deklaratave të këtij të fundit në një televizion kosovar, se SHIK ka kapur PDK-në dhe shtetin.

Veseli, si ish-kryetar i SHIK-ut, i është përgjigjur Rexhepit duke thënë se, ai nuk ka karamele që t’i japë askujt, ndërsa ka sugjeruar që politikanët të jenë më të qetë dhe më të vëmendshëm në deklarata, sidomos kur kanë pasur përgjegjësi institucionale.

Top Channel