Pranga një tjetër ish-drejtuesi të Portit të Durrësit

20/03/2015 00:00

Një tjetër ish-drejtues i Autoritetit Portual të Durrësit është arrestuar nga inspektorët e Antikrimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit.

Pas arrestimit të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Portit të Durrësit, Eduart Ndreu dhe drejtuesit teknik Mehmet Borshi, Gjykata e rrethit të Durrësit ka caktuar të enjten masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Agron Çopja, 46 vjeç, banues në Durrës,me detyrë ish Drejtor i Drejtorisë së shërbimit operacional në Portin e Durrësit.

Vendimi është marrë me kërkesë të organit të akuzës që mbi bazën e kallëzimit të bërë nga KLSH në korrik të vitit të kaluar ka nisur hetimet për veprat penale “Shpërdorim Detyre” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike” për ish-drejtuesit e portit më të madh në vend.

Gjatë këtij muaji, për të njëjtat akuza, janë arrestuar nga sektori kundër krimit ekonomik financiar edhe dy ish-drejtues teknik të Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës, ndërsa janë paralajmëruar edhe arrestime të tjera.

Top Channel