Lazarat, shpërthim pranë shtyllës së tensionit. Reagon policia, sekuestrohen 12 kg tritol

19/03/2015 00:00

Një shpërthim në vendin e quajtur “Pularia” në fshatin Lazarat është verifikuar mesnatën mes së mërkurës dhe së enjtes.

Nga verifikimi i kryer prej forcave të policisë u konstatua se, në anë të rrugës kryesore të fshatit Lazarat, afër “Pularisë”, ishte vendosur një sasi lënde shpërthyese tek shtylla mbajtëse e një shtylle elektrike, e cila si pasojë është dëmtuar lehtë.

Nga mbikëqyrjet e para, grupi hetimor ka konstatuar gjithashtu se sasia e vendosur pranë shtyllës mbajtëse ka qenë rreth 100 gramë eksploziv, që nga shpërthimi ka dëmtuar lehtë bazamentin e objektit, por pa krijuar asnjë problem për shtyllën elektrike.

Ngjarja ka vënë në lëvizje uniformat blu, të cilat, të asistuara nga efektivët e reparteve FNSH dhe RENEA, kanë zhvilluar një aksion për bllokimin e lëndëve plasëse.

Kështu, njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar 12 kg tritol në një tunel, në vendin e quajtur Përroi i Haliqit.

Një ditë më parë, me një numër të madh forcash policia ndërhyri në Lazarat, në përpjekje për të kapur disa persona që kundërshtuan me armë patrullën e policisë në fshat.

Top Channel