Gavelli paraqitet në Drejtorinë e Policisë, mbrëmë u raportua për rrëmbimin e tij

18/03/2015 00:00

Mëngjesin e sotëm është paraqitur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës shtetasi Leonat Gavelli, i cili dëshmoi për rrëmbimin e raportuar mbrëmjen e djeshme.

Për Leonat Gavellin u njoftua se u mor peng nga të paktën 3 persona të armatosur në afërsi të Liqenit Artificial.

Gavelli duket se nuk kishte pësuar asnjë lëndim dhe ka shkuar vetë në polici për të dhënë dëshminë e tij, pasi është liruar nga pengmarrësit pas rrëmbimit. Mendohet se 43-vjeçari me origjinë nga Berati është lënë i lirë nga rrëmbyesit në orët e para të mëngjesit.

Gavelli nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi në vitin 2007, drejtësia italiane ngriti ndaj 43-vjeçarit dhe dy të afërmve të tij, akuza për trafikim të lëndëve narkotike nga Kolumbia në drejtim të Italisë, duke u cilësuar në atë kohë si një nga grupet më të fuqishme të trafikimit të kokainës në shtetin fqinj.

Me anë të një deklarate për mediat, Policia e Shtetit njoftoi se Leonat Gavelli u rrëmbye nga 3 persona të armatosur mbrëmjen e së martës dhe u la i lirë në orën 00:37 të ditës së sotme. Policia bën të ditur se ndaj tij nuk është ushtruar dhunë fizike.

Në fund të deklaratës, policia theksoi se “po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”.

Top Channel