Publikimi i listave të UÇK, do të shqyrtohen të gjitha ankesat

10/03/2015 00:00

Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të Dëshmorit të Kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të Luftës së UÇK-së ka pranuar mbi 3000 ankesa, pas publikimit të listave fillestare të zonave operative të Llapit, Karadakut dhe Nerodimës.

Drejtuesi i zyrës për veteranët e luftës së UÇK-së, në zyrën e kryeministrit, Faik Fazliu tha për Top Channel se janë në fazën e shqyrtimit të ankesave, për çka edhe është formuar një grup pune.

“Është formuar një grup për shqyrtimin e ankesave dhe të gjithë ata që kanë fakte, të cilët kanë qenë në luftë dhe nuk e gjejnë emrin e tyre të përfshirë në ato lista, i siguroj në emër të Komisionit se të gjithë do të figurojnë në lista, kështu që atij që ka qenë në luftë nuk do t’i mohohet kjo në asnjë moment”, tha Faik Fazliu, udhëheqës i zyrës për veteranët e luftës së UÇK-së.

Ankesat janë të natyrave të ndryshme, kryesisht pakënaqësi rreth statusit, ku persona të caktuar kanë aplikuar për njohjen e statusit të invalidit, por që nuk kanë pasur dëshmi të jenë plagosur ose lënduar në luftë, si dhe pretendime se janë futur emra të personave që nuk ishin fare pjesë e luftës.

Pasi u publikua edhe lista e zonës së Shalës, Fazliu bëri thirrje që ankesat të drejtohen në komisionin qeveritar, e jo në rrjete sociale apo media.

“Ne si komision jemi munduar që t’u kërkojmë të gjithëve, që kanë ankesa apo vërejtje, që të na ofrojnë neve dëshmi, sepse nuk mjafton vetëm ankesa në rrjete sociale apo nëpër media, që ne t’i shqyrtojmë ato. Si të tilla, ne kemi kërkuar që çdo njëri, që ka dëshmi për dikë që është futur në listë dhe nuk duhet të jetë, apo e kundërta, të na ofrojë neve si Sekretari të dhëna dhe i sigurojmë që do të bashkëpunojmë në maksimum dhe mënyrë transparente me të gjithë përgjegjësit e zonave, duke i shqyrtuar në maksimum ato”, tha më tej Faik Fazliu.

Të gjithë ata që pretendojnë t’u jetë bërë padrejtësi për njohjen e statusit, kanë afat ankese prej 30 ditësh nga publikimi i listave, ndërsa shqyrtimi i ankesave kryhet brenda 60 ditëve. Faik Fazliu tha se javën e ardhshme pritet t’i mbyllin listat e të gjitha zonave operative, përfshi edhe Shtabin e Përgjithshëm dhe njësitë e varura prej tij.

Top Channel