Gjykata Speciale, projektndryshimet përfundojnë në Kushtetuese

09/03/2015 00:00

Propozimet e Qeverisë së Kosovës për ndryshimet e Kushtetutës në lidhje me Gjykatën Speciale përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se kjo bëhet me qëllim që Kuvendi të sigurohet se propozimet janë brenda frymës së Kushtetutes së Kosovës.

“Ne si Kuvend, në radhë të parë dëshirojmë që të shikojmë nëse korrespondon kjo me Kushtetutën, e për këtë arsye e kemi adresuar çështjen në Gjykatën Kushtetutese”, tha Kadri Veseli.

Por për këto ndryshime nuk janë njoftuar deputetët dhe anëtarët e Kryesisë në mbledhjen e së hënës.

Donika Kada Bujupi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se kryetari Veseli vetëm sa njoftoi anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, që do t’i procedonte propozim/ndryshimet në Gjykatën Kushtetuese, por nuk tregoi se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë.

Ndërsa deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu tha se është kompetencë e kryetarit të Kuvendit t’i procedojë në Gjykatën Kushtetuese, por për këtë nuk është shpërndarë asnjë dokument.

Qeveria e Kosovës ka miratuar të shtunën propozimet për ndryshimet kushtetuese dhe projektligjin për Gjykatën Speciale. Kjo gjykatë do të trajtojë krimet e supozuara të UÇK-së. Vetë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në një vlerësim personal tha se UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë, duke e çliruar popullin nga padrejtësitë dhe robëria.

Top Channel