Ndryshimet kushtetuese, Thaçi: Gjykata do zbardhë të vërtetat

07/03/2015 00:00

Qeveria e Kosovës ka miratuar amendamentet kushtetuese që i hapin rrugë
krijimit të Gjykatës Speciale, e cila do të gjykojë krimet e pretenduara
se i kanë kryer pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, i cili i prezantoi para kabinetit qeveritar propozim ndryshimet kushtetuese, tha se krijimi i Gjykatës Speciale do të zbardhë të vërtetat mbi pretendimet e padrejta që iu kanë bërë Kosovës.

“Ne nuk kemi asgjë për të fshehur, prandaj edhe ballafaqimi me këtë problematikë është në interesin e të gjithëve. Çdo pretendim tjetër do të mund të jetë zakonisht i rëndë dhe i dëmshëm për shtetin e Kosovës. Qasja që kemi ndjekur ne si qeveri në bashkëpunim edhe kryetarin e Kuvendit gjithashtu edhe me presidenten, por edhe në konsultim me të tjerët është qasja më e drejtë e mundshme për rrethanat. E di se është vendim jo i lehtë. Është vendim i rëndë por është vendim i drejtë”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri Isa Mustafa e ka vlerësuar vendimin për Gjykatën Speciale si më të vështirin që ka marrë qeveria e tij deri tani.

“Sot kemi pas një seancë në të cilën është marrë një vendim i cili nuk ka qenë lehtë të merret. Një vendim i cili është peshuar gjatë me të gjitha konsekuencat. Është një vendim i cili është vlerësuar se i shërben Kosovës, i shërben integrimeve tona euro atlantike, i shërben edhe luftës së UÇK-së sepse ka qenë një luftë e pastër, ka qenë një luftë në të cilën është mbrojtur pragu i shtëpisë, janë mbrojtur familjet. Dhe dyshimet mbi individë assesi nuk guxojnë të trajtohen në këtë proces si dyshime mbi UÇK-në”, theksoi Mustafa.

Qeveria ka propozuar që mandati i Gjykatës Speciale të jetë pesëvjeçar, përveç nëse kërkohet nga Gjykata që ai të jetë më i shkurtër.

Propozim amendamentet për ndryshimet kushtetuese, Qeveria i ka proceduar në Kryesinë e Kuvendit, nga ku duhet të procedohen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të nxjerrë një ligj të posaçëm, përmes të cilit do të sigurojë mbrojtje juridike për të gjithë personat, që mund të akuzohen nga Gjykata Speciale.

Projektligjin, që e miratoi Qeveria përcakton mbulimin e të gjitha shpenzimeve për avokatët mbrojtës të të akuzuarve si dhe mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit për familjarët e ngushtë gjatë vizitave në shtetin ku mund të mbahen të akuzuarit.

Menjëherë pasi Qeveria miratoi amendamentet kushtetuese, presidentja Atifete Jahjaga përshëndeti vendimet, duke vlerësuar se Kosova po zbaton marrëveshjet ndërkombëtare që ka marrë përsipër.

Top Channel