Veliaj në Kosovë, pritet nga homologu Abrashi

06/03/2015 00:00

Kosova dhe Shqipëria kanë arritur marrëveshje për liberalizimin e tregut të punës, që qytetarët të kenë mundësi punësimi pa pengesa, kudo që ata gjejnë punë në dy shtetet përkatëse.

Ministrat e Punës, Erion Veliaj nga Shqipëria dhe Arban Abrashi nga Kosova, vlerësuan se me këtë marrëveshje po ndodh një integrim praktik i tregut të punës.

“Burokracia e lejeve të punës është një burokraci, që në rastin më të mirë merr një muaj, në rastin më të keq merr tre-katër muaj. Sigurisht e bën dikë më pak të punësueshëm, në momentin që duhet të kalojë gjithë këtë garë me pengesa për të mbërritur deri te vendi i punës. Ndaj më vjen mirë, që lajmi që japim sot dhe që do ta finalizojmë në mbledhjen e Qeverisë për këtë marrëveshje, është një lajm i mirë sidomos për të rinjtë tanë, për ata që janë në kërkim të një vendi pune”, tha Erion Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Shqipëri.

“Ideja është që qytetarët tanë, të Kosovës dhe të Shqipërisë, të punojnë pa burokraci aty ku gjejnë vend pune. Një treg i hapur që nënkupton se, një qytetar nga Zveçani do të mund të punojë në Gjirokastër dhe anasjelltas. Ky është një hap i parë drejt integrimit funksional dhe do të paraprijë duke qenë model edhe për ministrat e tjerë, që besoj se do ta vazhdojnë këtë punë”, tha Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Kosovë.

Veliaj dhe Abrashi po ashtu kanë nënshkruar marrëveshje për aftësime profesionale të qytetarëve të të dyja vendeve, si dhe për njohjen e kontributeve për pension të punonjësve që punojnë në Kosovë dhe Shqipëri.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, ministri Erion Veliaj ka takuar edhe përfaqësues të institucioneve të tjera, për të diskutuar për përgatitjet finale para mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive, që do të mbahet më 23 mars në Shqipëri.

Top Channel