Çështja “Doshi”, profilet e 4 prokurorëve të Krimeve të Rënda. Dosje të forta të krimit dhe politikës

06/03/2015 00:00

Dy prokurorët kryesorë që do të udhëheqin hetimet e hapura kryesisht, me urdhër të kryeprokurorit Adriatik Llalla, pas qëndrimit të Tom Doshit për dyshimet se ka elementë të vrasjes së mbetur në tentativë, janë Përparim Kulluri dhe Manjola Kajana.

Që të dy, përveç se prokurorë te Krimet e Rënda, janë po ashtu pjesë e njësisë antikorrupsion të ngritur në shtator 2014. Kajana, një magjistrate që përfundoi studimet në 2009-n, veshi tunikën e prokurores 5 vjet më parë, pasi u dekretua nga ish-presidenti Topi.

Ajo nisi udhëtimin në organin e akuzës si prokurore në Fier. Zonja Kajana është emëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në 2014-n dhe, aktualisht, ka nën hetim dosjen delikate me hetimet që po kryhen për shpërthimin e ndodhur me lëndë plasëse në Farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Prokurorja Kajani u shfaq për herë të parë publikisht me hetimin e vajzës me nofkën “Nikita” në Fier, e cila u akuzua prej Kajanës se kishte kryer disa grabitje me armë, që në fakt më vonë rezultoi të kishte qenë lodër.

Prokurori tjetër i dosjes “Doshi”, Përparim Kulluri, ka më tepër se 15 vjet në sistemin e Prokurorisë, me detyra në Lushnje, në Krimet e Rënda në Tiranë që në momentin e krijimit, ka drejtuar Prokurorinë e Shkodrës, e sërish është kthyer së fundmi te Krimet e Rënda.

Ai spikati në hetimin e bandës së Lushnjes, me dënimet e forta që kërkoi për të pandehur, që konsideroheshin asokohe si “ushtarët” e Aldo Bares; më tej për hetimin e kontrabandës së cigareve, por edhe dosjet më të fundit si ajo e Lazararit, apo e trafikut të minave.

Për shkak të ngarkesës së çëshjtes “Doshi”, prokurorët Kulluri dhe Kajana janë ndihmuar edhe nga dy prokurorë të tjerë, Blerim Tominaj dhe Adnand Xholi.

Tominaj do të mbahet mend së fundmi, si prokurori që hetoi “21 janarin”. Ndërkohë që Adnand Xholi, përveç hetimit të disa grupeve kriminale që merreshin me trafik droge duke bashkëpunuar edhe me DEA-n amerikane, masakrën e Qafë Gjashtës në vitin ’97, së fundmi përfaqësoi akuzën në Gjykatën e Lartë kundër deputetëve Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka, nën akuzë për dhunë ndaj deputetit Gent Strazimiri.

Top Channel