Skandali me çështjen “Kleçka”, reagojnë Nisma dhe VV

05/03/2015 00:00

Partia “Nisma për Kosovën” kërkon nga Brukseli zyrtar të fillojë një hetim të shpejtë për panelin gjyqësor të çështjes “Kleçka”, në të cilën është i dyshuar për krime lufte kryetari i saj, Fatmir Limaj.

Në një konferencë për media, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se faktet e publikuara në media për përfshirje të gjyqtarëve në vendime politike gjyqësore kundër Fatmir Limajt janë tronditëse.

“Limaj dhe 8 të akuzuarit e tjerë kanë pasur besim të plotë në sistemin e drejtësisë. Atyre, në vend që t’iu jepet drejtësia nga një panel gjykatësish profesionistë dhe të mbështetur në ligj, tanimë po shihet se ata kanë qenë para një paneli të ashtuquajtur ‘gjyqësor’, të cilët, sipas dëshmive të publikuara, kanë qenë të instruktuar që të marrin një vendim politik. Ende pa e shqyrtuar lëndën, kryetari i panelit gjyqësor ka deklaruar se do ta dënojë Fatmir Limajn dhe të tjerët, në kundërshtim me ligjin.  Duke mos marrë kështu një vendim gjyqësor duke u bazuar në fakte, në prova dhe në ligj, gjë që është vërtet shqetësuese”, tha Jakup Krasniqi.

Ai kërkoi nga Brukseli zyrtar të fillojë dhe të garantojë një hetim të gjithanshëm ndaj të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë skandal, qoftë në Prishtinë apo në Bruksel.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar me shqetësim, ndaj të ashtuquajturit komplot të publikuar sot në media, se PDK dhe misioni i BE-së në Kosovë kanë diskutuar dhe kanë tentuar ta dënojnë Fatmir Limajn dhe të akuzuarit e tjerë, duke ndërhyrë në organet gjyqësore.

“Kjo tregon edhe një herë se sa i rrezikshëm është ky pushtet në shërbim të interesave të huaja, të cilat fatin e aktorëve politikë në Kosovë si dhe vendin në përgjithësi e përdorin si monedhë kusuri për akomodimin e interesave të tyre gjeopolitikë e financiarë”, thuhet në komunikatën e VV.

Top Channel