Nis Epopeja e UÇK-së, Mustafa: Së shpejti Kosova me ushtri

05/03/2015 00:00

Manifestimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i mbajtur në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë ka kaluar me një reagim të ashpër nga ana e përfaqësuesit të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari.

Djali i Hamëz Jasharit, Bekimi, tha se ndihet i turpëruar që për herë të parë në Epopenë e UÇK-së nuk u interpretua edhe himni kombëtar shqiptar, por vetëm ai shtetor i Kosovës.

“Sot, për fat të keq si asnjëherë më parë, si asnjëherë që nga përfundimi i luftës nuk jam ndjerë më i turpëruar. As nuk po ndjehem mirë që ndodhem mes jush. Për herë të parë pas luftës në një Epope nuk po intonohet himni kombëtar. Turp”, tha Bekim Jashari.

Manifestimi për Epopenë e UÇK-së edhe këtë vit është mbajtur nën patronazhin e qeverisë së Kosovës, por askush nuk ka dashur të shpjegojë arsyen e mungesës së himnit kombëtar.

Në këtë manifestim para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka parakaluar kryeministri Isa Mustafa, ndërsa më pas, i shoqëruar edhe nga kryeparlamentari Kadri Veseli, ka vendosur kurora me lule tek obelisku i dëshmorëve që ndodhet brenda kazermës.

Kryeministri Mustafa dhe komandanti i përgjithshëm i FSK-së, Kadri Kastrati sërish u premtuan pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë se shumë shpejt do të jenë ushtarë të Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Kuptohet, procesi i avancimit të FSK-së do të vazhdojë më tej me themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, të cilat do të jenë forca moderne ushtarake, të pajisura me të gjitha cilësitë e nevojshme të një ushtrie të aftë për të siguruar stabilitet e paqe dhe për të marrë pjesë në misione humanitare e paqësore, me synim që të kenë vendin e tyre në NATO. Shkurt, ushtria e ardhshme e Kosovës do të jetë një forcë model, një institucion pasqyrë e Kosovës reale, me gjithë koloritin e saj etnik e gjuhësor”, tha Mustafa.

“Në 17-vjetorin e ditëve të rezistencës ne jemi në fund të rrugës së gjatë për të ngritur strukturën e Forcave të Armatosura, e cila lindi që në epokën e lavdishme të Jasharëve. Tashmë FSK ka përfunduar një proces të gjatë të ngritjes dhe zhvillimit profesional dhe po përgatitet për transformimin e saj në Forca të Armatosura. Sigurisht që përvjetori i 18 i Epopesë së UÇK-së do ta gjejë Kosovën me FSK të transformuar dhe plotësisht të integruar në NATO”, tha nga ana tjetër Kastrati.

Manifestimi i Epopesë së UÇK-së do të vazhdojë edhe në dy ditët e ardhshme me homazhe në varrezat në kompleksin memorial në Prekaz dhe me Natën e Zjarreve.

Top Channel