Bulqizë, arrestohen 5 persona të dyshuar për tentativë grabitjeje

05/03/2015 00:00

Pesë persona të maskuar kanë tentuar të grabisin një banesë në fshatin Dragu të komunës Fushë Bulqizë.

Sipas policisë lokale të rrethit të Bulqizës, bëhet me dije se 5 personat e maskuar kanë tentuar të hyjnë në banesë rreth orës 23:00 të mbrëmjes së të mërkurës, me synimin për të grabitur me dhunë banesën e shtetasit Hasan Talja, i cili sot nuk jeton.

Sipas policisë, kanë qenë vetë familjarët, të cilët kanë pikasur grabitësit nëpërmjet kamerave të sigurisë të kësaj banese, duke njoftuar menjëherë policinë lokale të Bulqizës, e cila me të marrë njoftimin është nisur drejt banesës, ku dyshohej të kryhej grabitja.

Siç duket, grabitësit kanë pikasur policinë, e cila po i afrohej banesës, dhe janë larguar me dy automjete tip Fiat dhe Ford, të cilat i prisnin jashtë rrethimit të banesës. Policia u vu menjëherë në ndjekje të grabitësve, duke bërë të mundur edhe kapjen e tyre në afërsi të qytetit të Klosit, pasi siç bëhet e ditur autorët ishin nisur në drejtim të Tiranës.

Sipas policisë së rrethit Bulqizë bëhet me dije se janë arrestuar, si të dyshuar për grabitje, shtetasit Kastriot Pepa, 33 vjeç, banues në Lezhë (person i shpallur në kërkim nga policia e Lezhës për grabitjen e një kazinoje në atë qytet); Marjo Bela, 39 vjeç, banues në Lezhë; Gazmend Rica, 31 vjeç, banues në Bushkash të Matit; Bekim Stafa, 29 vjeç, banues në Tiranë, si dhe Fatjon Loca, banues në Mirditë.

Policia ka sekuestruar materialin e kamerave të sigurisë, që dispononte familja në fjalë, për një hetim më të specializuar në lidhje me këtë ngjarje, ndërkohë në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe dy automjetet e maskat e përdorura nga grabitësit.

Top Channel