Kryeprokurori, dosja përfundon te Gjykata Kushtetuese

03/03/2015 00:00

Këshilli prokurorial i Kosovës vendosi t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese dosjen e procedurave të ndjekura për zgjedhjen së kryeprokurorit të shtetit. Kjo, pavarësisht konstatimit të disa anëtarëve të këshillit, se kërkesa e gjykatës përbën ndërhyrje në punën e një organi të pavarur, siç është Këshilli prokurorial, dhe në përmbajtje është me ton kërcënues.

“Nëse veprojmë ndryshe, do të vepronim në mënyrë kundërligjore, sepse Gjykata Kushtetuese ka mundësi të vendosë edhe pa këtë çështje. Kështu i shkaktojnë dëm procesit”, tha Teki Bokshi, anëtar i Këshillit prokurorial të Kosovës.

Anëtarja Sevdije Morina e refuzoi kërkesën e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë deklarative dhe me votën e saj. Ajo vuri në pikëpyetje faktin nëse, për këtë proces po interesohet institucioni i Gjykatës Kushtetuese, apo vetëm kryetari i saj Enver Hasani.

“Unë mendoj se ne, si institucion i pavarur kushtetues që udhëheqim me institucionin prokurorial, nuk guxojmë t’i lejojmë që të cënohet pavarësia e institucionit. Unë mendoj që gjykata nuk mund të kërkojë informacione për një proces të ri, meqenëse nuk ka një rast të filluar, nuk ka ankimim në Gjykatën Kushtetuese. Unë pres që presidentja e vendit ta dekretojë kandidatin, që ky këshill ka votuar. Askush në këtë vend nuk mund ta injorojë vullnetin e KPK-së me gjëra inatçore”, tha Sevdije Morina, anëtare e Këshillit prokurorial të Kosovës.

“Kush është pro, që Gjykatës Kushtetuese t’i dërgohet dokumentacioni, që i është dërguar presidentes lidhur me zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit?”, pyeti Sylë Hoxha, ushtrues detyre i kryeprokurorit të Kosovës duke i hapur rrugën votimit me 5 vota pro dhe 2 kundër.

Drejtori i sekretariatit, Shkelzën Maliqi, hoqi ndërkaq përgjegjësinë për nënshkrimin e shkresës, që duhet t’i shkojë gjykatës. Kjo pasi, siç tha ai, komunikimi në këtë rast po bëhet mes kryetarit të gjykatës dhe këshillit.

Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese do të ketë para vetes 16 dokumente gjithsej, përfshirë konkursin e brendshëm, listën me poenat përfundimtare për secilin kandidat, vendimin për nominimin, informata nga agjencia e intelegjencës dhe ajo antikorrupsion etj.

Top Channel