Kosovë, drejtori i ri i AKI-së e nis me ristrukturimin e institucionit

03/03/2015 00:00

Drejtori i ri i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Agron Selimaj, ka filluar me ristrukturimin e këtij institucioni, duke e nisur me heqjen e Departamentit të Verifikimit të Zyrtarëve shtetërorë nga kompetencat e AKI-së. Ky departament do të funksionojë si i pavarur.

Këtë e bëri të ditur kryetari i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Haxhi Shala, pas mbledhjes së komisionit, në të cilën raportoi kreu i AKI-së.

Pas mbledhjes, e cila ishte e mbyllur për mediat, Shala tha se AKI-ja shumë shpejt do të ketë faqen e vetë të internetit, me informacione për mediat dhe publikun.

Lidhur me pretendimet e Listës Serbe për të marrë postin e zëvendësdrejtorit të AKI-së, kryetari i komisionit parlamentar tha se nuk do të ketë emërim të zëvendësdrejtorit të AKI-së nga radhët e komunitetit serb, pasi tashmë është emëruar zëvendësi i ri.

Shala bëri të ditur se në seancën e radhës do të pyesë kryeministrin Isa Mustafa për arsyet e dorëheqjes së ish-kreut të AKI-së.

Top Channel