AKR, Mimoza Kusari-Lila kandidate për të pasuar Pacollin

03/03/2015 00:00

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, dëshiron të pasojë Behgjet Pacollin në krye të Aleancës Kosova e Re.

Zëvendëspresidentja e partisë së Pacollit ka konfirmuar për Top Channel se gjatë muajit mars, kur të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i partisë për të shpallur zgjedhjet partiake, ajo do të njoftojë kandidaturën e saj.

“Unë kam paralajmëruar që do të shpall kandidaturën time për kreun e partisë. Besoj që Aleancës Kosova e Re i duhet një qasje e re me elektoratin. Ne prapë do të vazhdojmë të mbajmë si shtyllë të programit dhe vizionit tonë axhendën zhvillimore të Kosovës, në veçanti në sektorin ekonomik dhe në forcimin e institucioneve, si dhe në afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Mimoza Kusari-Lila.

Kryetarja e Gjakovës premton se do të instalojë energji të reja në parti, por sipas saj koncepti ekonomik do të mbetet bërthama kryesore e AKR-së.

Për Mimoza Kusari-Lilën, Aleanca Kosova e Re nuk u votua mjaftueshëm nga elektorati në zgjedhjet e fundit, pasi puna e bërë në Qeveri nuk iu shpjegua qytetarëve mjaftueshëm. Por, ajo pret që të fuqizojë partinë, për të synuar më shumë në jetën politike kosovare.

“Shpresoj tashmë, nga pozicioni ku jemi, se na duhet një mobilizim dhe një energji e madhe që të ngrihemi, jo vetëm për të qenë në gjendje që të kalojmë pragun, por gjithashtu për të qenë në gjendje që të bëjmë ndryshim substancial në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Mimoza Kusari-Lila.

Kusari-Lila tha se udhëheqësi i deritashëm i AKR-së, Behgjet Pacolli, do të vazhdojë të jetë pjesë e domosdoshme e partisë.

Kandidatura e Mimoza Kusari-Lilës për kryetare të AKR-së vjen pak ditë, pasi Behgjet Pacolli ka paralajmëruar se nuk do të kandidojë më për kryetar të partisë që ka themeluar ai vetë.

Top Channel