Kosovë, Avokati i Popullit kërkon ndryshimin e ligjit për Kushtetuesen

02/03/2015 00:00

Zyra e Avokatit të Popullit në Kosovë ka marrë nismën për të ndryshuar ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka paraqitur propozimet e tij para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për legjislacion, ku ka kërkuar riformulimin e nenit 30 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, i cili e kufizon në 6 muaj afatin brenda të cilit Avokatit i Popullit mund të nisë çështje në gjykatë, pas hyrjes në fuqi të ligjeve të caktuara.

“Kur bëhet fjalë për ngritjen e rasteve të kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve të tjera normative, Kushtetuta e Kosovës nuk e kufizon Avokatin e Popullit në aspektin material, nuk i përcakton substancë apo materie që duhet të ngrejë. Mirëpo ligji për Gjykatën Kushtetuese përcakton një afat kohor prej 6 muajsh për ngritjen e rasteve të kushtetutshmërisë, gjë që paraqet një kufizim procedural, i cili është dëshmuar që nuk është i qëndrueshëm”, tha Sami Kurteshi, Avokat i Popullit.

Kurteshi tha se për arsye të afatit të kufizuar, disa ligje tashmë kanë hyrë në fuqi dhe janë në kundërshtim me Kushtetutën, por Avokati i Popullit nuk ka më drejtë t’i paraqesë në gjykatë. Si shembull, ai mori ligjin për të drejtat e fëmijëve të veteranëve të luftës, për regjistrimin e tyre në universitete publike, ligj i cili sipas Kurteshit është diskriminues dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Deputetët e mbështetën propozimin e Avokatit të Popullit, por vlerësuan se afati për referimin e rasteve në gjykatë nuk mund të jetë i pakufizuar. Edhe pse në këtë takim ishte parashikuar të merrte pjesë ndonjë përfaqësues i Gjykatës Kushtetuese, askush nga ky institucion nuk ishte i pranishëm, për çka edhe reagoi kryetarja e Komisionit për legjislacion, Albulena Haxhiu.

“Kjo është papërgjegjshmëri përballë Kuvendit, papërgjegjshmëri ndaj deputetëve, ndaj komisionit për legjislacion, sepse nëse jo kryetari i Gjykatës Kushtetuese, atëherë të paktën është dashur që të delegojë një përfaqësues në mbledhjen e komisionit për legjislacion për të diskutuar në lidhje me çështjen e ngritur”, tha Albulena Haxhiu, kryetare e komisionit për legjislacion.

Edhe pse Gjykata Kushtetues e injoroi takimin, deputetët i morën rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe premtuan nisjen e procedurave për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Pas takimit në komisionin për legjislacion, Avokati i Popullit Sami Kurteshi sqaroi se kërkesa për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Kushtetuese nuk ka lidhje me betejën tjetër, që ka hapur Zyra e Avokatit të Popullit për largimin e kryetarit të gjykatës, Enver Hasani, për shkak të rastit të kontestuar për emërimin e gjyqtarëve ndërkombëtarë.

Kurteshi tha se do të shfrytëzojnë të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar largimin e Hasanit, ndërkohë që nuk e ka përjashtuar mundësinë që për këtë t’i kërkojë ndërhyrje edhe presidentes Atifete Jahjaga.

Top Channel