Shqiptarët, një shekull emigrim; studiuesit japin alarmin dhe akuzojnë Serbinë

28/02/2015 00:00

Emigrimi masiv i kosovarëve muajve të fundit bashkoi në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë studiues dhe njerëz të institucioneve fetare nga Kosova dhe Maqedonia.

“Migrimi i shqiptarëve, shkaqet dhe pasojat nga viti 1912 deri në vitin 2015” ishte tema e këtij sesioni shkencor, por historianët u ndalën edhe në periudha të mëhershme kur shqiptarët u dëbuan nga trojet, siç është rasti i Sanxhakut të Nishit.

“Nuk mund ta harrojmë, ne nuk kemi popull atje. Janë 21 ditarë të ushtarëve serbë që po të lexohen njeriu kupton çfarë ka përjetuar populli ynë në atë genocid. Vetë serbët e thonë: kur kemi hyrë në fshatrat e shkreta nuk kemi ditur as emrat si quhen”, deklaroi historiani Hakif Bajrami.

Historianët e vunë theksin edhe në periudhën e dëbimit masiv nga Kosova, vitet e ’60, si pasojë e marrëveshjes turko-jugosllave, pa harruar të përmendin këtu rolin e imamëve për pengimin e fenomenit. Dhe kur shpjegon valën e ikjes në vitin 2015, historian Hakif Bajrami fajëson edhe Serbinë.

“Ne nuk kositim livadhe, as nuk vijmë nëpër xhami, por po e mbikëqyrim Serbinë, ta dijë mirë ajo. Popat serbë më 14 janar kanë dorëzuar tekstin në Departamentin e Shtetit për pronat e serbëve në mesjetë. Këtu është atentati dhe mikrobi. 22 agjentura të popave po punojnë në Kosovë. Ne mund të na shesë mend dikush, por nga Serbia në Hungari nuk shkohet me letërnjoftim, por me pasaportë të Sebrisë”, theksoi Bajrami.

Dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, Fahrush Rexhepi vlerësoi se braktisja e vendlindjes është një nga rrugët më shkurtra të shfarrosjes së një kombi dhe tjetërsimit kulturor të tij.

“Arratisja e fundit si pasojë e krizës morale e kulturore dhe si mjet për të imponuar disiplinimin e ri të shqiptarëve”, ishte tema e studiuesit Miliazim Krasniqi.

Ndërsa për shkrimtarin Kim Mehmeti, periudhat historike kanë ndryshuar dhe tani shqiptarët po përballen me rrezikun e zbrazjes së trojeve të tyre.

“Ne shqiptarët ndoshta jemi balancuar sa i përket asaj deri ku janë trojet tona. Por tani duhet që ato troje të bëhen të banueshme për popullin tonë, sepse ne tani përballemi me rrezikun që ato troje të mbeten pa banorë, që është një tragjedi edhe më e madhe”, u shpreh Mehmeti.

Sipas të dhënave që u shpalosën në këtë konferencë, numri i kosovarëve azil-kërkues në vitin e kaluar dhe këtë vit në vendet e BE-së është rreth 173 mijë.

Top Channel