Në pranga tre të dyshuar për terrorizëm

27/02/2015 00:00

Tre persona të dyshuar për terrorizëm janë arrestuar në 24 orët e fundit në Kosovë, në rajonet e Gjilanit dhe Prishtinës.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, e cila përmes një komunikate për shtyp ka saktësuar se të arrestuarit janë të moshave 22, 23 dhe 24 vjeç dhe dyshohen për përfshirje në aktivitete terroriste.

Konkretisht ata dyshoohen për “rekrutim për terrorizëm”, “nxitje për kryerje të akteve terroriste” dhe “organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste”.

Gjatë aksionit për prangosjen e tyre si prova materiale janë konfiskuar dokumente të ndryshme, disa pajisje elektronike, etj. Në njoftimin zyrtar thuhet më tej se, rasti është duke u hetuar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Fundjavën e kaluar Policia e Kosovës njoftoi se vuri në pranga në aeroportin e Prishtinës një të ri vendas që po përpiqej të udhëtonte drejt Turqisë, me shumë gjasa për t’iu bashkuar luftimeve të ISIS në Siri.

Ndërsa pak ditë më parë, komisioni parlamentar për punët e brendshme votoi projektligjin për parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve kosovarë në konflikte të armatosura.

Top Channel