Bushati pritet nga Thaçi: Gjykata Speciale, e padrejtë për Kosovën

27/02/2015 00:00

Gjatë vizitës në Kosovë Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati deklaroi mbështetjen ndaj çdo qëndrimi të Prishtinës zyrtare ndaj çështjes së Gjykatës Speciale.

Pas një takimi me homologun kosovar Hashim Thaçi, Bushati u shpreh në konferencën e përbashkët për shtyp, se kjo gjykatë është e padrejtë. I pyetur nga Top Channel nëse kjo gjykatë do ta dëmtojë imazhin e shqiptarëve, pasi ajo do të hetojë edhe raste që përfshijnë territorin e Shqipërisë, Bushati konfirmoi se Tirana zyrtare do të jetë në një linjë me Prishtinën.

“Pavarësisht ngritjes së kësaj gjykate apo jo, askush nuk mund të hedhë pikën e baltës apo të ketë hije dyshimi mbi sakrificat e popullit të Kosovës dhe luftën e drejtë për liri dhe pavarësi dhe qëndrimi i Shqipërisë do të jetë i palëkundur në këto linja. A preket apo jo Shqipëria nga ky proces, kur vjen puna për këto lloj akuzash të ngritura, Shqipëria dhe Kosova kam përshtypjen se janë një dhe vetëm një”, deklaroi Bushati.

Ndërsa Thaçi nga ana e tij tha se Gjykata Speciale është një padrejtësi ndërkombëtare për Kosovën, por që duhet të formohet.

“Ne duhet të vlerësojmë thellë, nëse më me interes për Kosovën është që ta marrin vendimin Kuvendi dhe institucionet e saj, apo që çështja të shkojë në Këshillin e Sigurimit. Dhe nëse kjo çështje shkon në Këshillin e Sigurimit, atëherë do të hapen tema të tjera të cilat do të jenë shumë të vështira për t’i tejkaluar dhe që do të mund të zgjasin jo nga 3 deri 5 vjet, por deri në 20 vjet”, tha Thaçi.

Gjykata Speciale ishte temë edhe në takimin që Bushati zhvilloi me përfaqësues të opozitës.

“Kur kanë shkuar tek partnerët ndërkombëtarë, të vetmin kriter që këta kanë pasur ka qenë ai se kanë dy të tretat e votave. Por këta duhet t’i gjejnë këto vota që kanë premtuar për votimin e gjykatës dhe më pas të mbajnë përgjegjësi”, deklaroi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit.

Ndërsa në takimet me presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Isa Mustafa, kryediplomati Bushati ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, ndërsa i ka siguruar për mbështetjen e Shqipërisë në të gjitha fushat.

Edhe me kryetarin e lëvizjes Vetevendosje, Albin Kurti dhe atë të Nismës, Fatmir Limaj, Bushati ka diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Top Channel