Kosovë, kreu i Kuvendit Veseli viziton Trepçën

26/02/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar këtë të enjte ndërmarrjen “Trepça” në Mitrovicë, ku u prit në një takim të veçantë nga stafi menaxherial i saj.

Gjatë takimit me drejtorin e përgjithshëm të “Trepçës”, Ahmet Tmava, dhe drejtorët e departamenteve përkatëse, u diskutua për gjendjen aktuale në ndërmarrje, për problemet dhe sfidat me të cilat po përballet ajo, si dhe për nevojën që të veprohet shpejt nga institucionet e vendit për nxjerrjen e “Ligjit për Trepçën”, nëpërmjet të cilit do të mundësohet rigjallërimi i kapaciteteve ekzistuese dhe zgjerimi i tyre.

Në funksion të njohjes për së afërmi me kushtet, në të cilat veprojnë dhe punojnë minatorët e “Trepçës”, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi një vizitë të veçantë në horizontet e minierës, në thellësi prej 600 metrash, në të cilat takoi minatorët gjatë procesit të punës.

Më pas, kryetari Veseli vizitoi disa familje, që jetojnë në Qendrën Kolektive në Stantërg, për t’u njohur nga afër me kushtet e tyre të jetesës. Kryetari i Kuvendit premtoi se shumë shpejt do të hartohet dhe implementohet një projekt, që këtyre banorëve t’u ndërtohen nga një vendbanim i ri.

Mes të tjerash, kryetari Veseli theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës do të angazhohen konkretisht, që e ardhmja ekonomike e Trepçës të jetë e sigurt.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel