Kosovë, luftoi në Siri, përfundon nën akuzë

25/02/2015 00:00

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur ndaj një të riu vendas një aktakuzë të lidhur me terrorizmin, konkretisht për “organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste”.

Përmes një komunikate për shtyp prokuroria ka sqaruar se, ekziston dyshimi i bazuar se shtetasi Alban Mavra, në periudhën shtator-tetor 2013 ishte bashkuar me grupin Jahbat al Nusra për të luftuar në Siri përkrah militantëve të Shtetit Islamik.

Mavraj kishte tentuar dy herë të tjera të shkonte në Siri gjatë vitit të kaluar, derisa më 27 korrik ra në prangat e policisë.

Nga hetimet e realizuara nga prokurori i rastit ka rezultuar se Mavraj kishte qenë në Siri për të luftuar dhe madje, sipas komunikatës, këtë e ka pranuar ai vetë gjatë marrjes në pyetje nga prokurori.

Gjatë rrëfimit të tij, vijon komunikata zyrtare, Mavraj ka treguar gjithashtu se po në Siri është stërvitur me armë të ndryshme, zjarri dhe të ftohta, nga militantët e Shtetit Islamik.

Fundjavën e kaluar Policia e Kosovës njoftoi se vuri në pranga në aeroportin e Prishtinës një të ri vendas që po përpiqej të udhëtonte drejt Turqisë, me shumë gjasa për t’iu bashkuar luftimeve të ISIS në Siri.

Ndërsa një ditë më parë, komisioni parlamentar për punët e brendshme votoi projektligjin për parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve kosovarë në konflikte të armatosura. 

Top Channel