Mitrovicë, gjyqi ndaj Ivanoviç, dëshmitari rrëfen masakrat

18/02/2015 00:00

Në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës ka vazhduar të mërkurën seanca gjyqësore kundër politikanit serb Oliver Ivanoviç, i cili dyshohet për vepra të rënda penale në Mitrovicë gjatë viteve 1990-2000.

Shefki Kasumi, në cilësinë e dëshmitarit ka rrëfyer ngjarjet që kishin ndodhur në vitin 1999. Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit ai ka treguar ngjarjet e 14 marsit të atij viti.

“Rreth orës 10 ushtria serbe na largoi nga shtëpitë duke ndarë veç meshkujt. Në rresht kaluam nëpër rrugën e Kovaçëve dhe na dorëzuan tek pjesëtarët e policisë, të cilët ishin me maska dhe që më pas filluan ekzekutimet”, ka thënë Kasumi.

Sipas dëshmitarit, në këtë ngjarje janë vrarë katër persona, Fatmir Mustafa, Avni Abazi, Skënder Paqarada dhe një person tjetër emri i të cilit atij nuk i është kujtuar.

Kasumi ka theksuar se në mesin e policëve të maskuar ka njohur Oliver Ivanoviç, të cilin sërish më vonë e ka parë të afrohet pa maskë.

Top Channel