Gjermania fillon kthimin e emigrantëve kosovarë. Avioni i parë nga Mynihu

18/02/2015 00:00

Të paktën 30 emigrantë kosovarë kanë arritur në Prishtinë nga aeroporti i Mynihut, të martën pasdite, një javë pas shpalljes së vendimit nga landi i Bavarisë për dëbimin e tyre.

Top Channel mëson nga burime se emigrantët janë kthyer në aeroportin “Adem Jashari” me një avion të posaçëm. Mësohet se kthime famijare mund të ndodhin herë pas here, edhe me avionët e linjave të rregullta.

Kthimi i emigrantëve kosovarë po bëhet në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, respektivisht Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Burime të Top Channel brenda kësaj Ministrie kanë thënë se janë duke bashkëpunuar me autoritetet gjermane për rastin konkret, ndërsa kanë bërë të ditur se shpenzimet për kthimin e emigrantëve mbulohen nga shtetet prej nga kthehen.

Sipas këtyre burimeve, në rast se ndonjë emigrant kosovar nuk ka asnjë dokument, ata mund të pajisen nga Ambasadat e Kosovës në vendet përkatëse, me një letër që ia mundëson kthimin në Kosovë.

Vetëm gjatë ditëve të para të shkurtit, në Gjermani kanë hyrë 3400 refugjatë kosovarë, prej të cilëve 800 vetëm në Bavari. “Eksodi nga Kosova dhe abuzimi me të drejtën gjermane të azilit duhet të ndërpriten menjëherë dhe në mënyrë efektive”, ka thënë ministri bavarez i Punëve të Brendshme, Joachim Herrmann.

Top Channel